Nga James Stavridis “Bloomberg View”
Pas disa vitesh përplasje verbale me Shtetet e Bashkuara, Turqia mori në dorëzim në fillim të këtij muaji, një pjesë të sistemit të avancuar rus të mbrojtjes ajrore, S-400. Ndërkohë po vazhdon transporti i pajisjeve mbështetëse, për të mundësuar montimin e sistemit, dhe vënien e tij në punë.
Aktualisht ndodhemi në një moment kritik, që në rastin më të keq mund të nxitë tërheqjen e Turqisë nga aleanca 70-vjeçare e NATO-s. SHBA dhe partnerët e tjerë të aleancës, kanë 3 kundërshtime legjitime mbi këtë lëvizje të Turqisë.
I pari dhe më i dukshmi, është komprometimi i mundshëm i sigurisë së NATO-s, nëse sistemi raketor rus S-400 integrohet në sistemet më të gjera të mbrojtjes ajrore të aleancës. Është e pamundur të dihet, se mbi çfarë mekanizmash të mbledhjes së inteligjencës, është ndërtuar ky sistem raketor.
Së dyti, aleanca është e shqetësuar me të drejtë, se avioni luftarak F-35 i prodhuar nga SHBA, i gjeneratës së pestë, duhet të funksionojë tashmë nën mbikëqyrjen e një sistemi të ndërtuar nga Rusia. Njohja e detajeve sesi janë ndërtuar avionët F-35, do të ishte një arritje tepër e rëndësishme për Moskën.
Së fundmi, kur një anëtar i rëndësishëm i NATO-s, kryen një blerje armësh nga një kundërshtar që vazhdimisht e teston dhe e sfidon aleancën, dërgohet një mesazh i keq gjeopolitik. Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, ka qenë disi i dyzuar në kritikat e tij ndaj veprimit të Turqisë, duke u shprehur në një moment se sanksionet do të ishin “të padrejta”, ai pezulloi gjithsesi shitjet e avionëve F-35 tek Turqia.
Pentagoni, është fuqimisht pro përjashtimit të plotë të Turqisë nga programi i avionëve F-35, qoftë si blerëse apo edhe si furnizuese e pjesëve të veçanta të mjetit. Edhe Kongresi Amerikan, është i zemëruar me aktin e Ankarasë, dhe ka shumë të ngjarë të kërkojë sanksione, bazuar në Aktin e Kundërvënies ndaj Armiqve të Amerikës përmes Sanksioneve të vitit 2017.
Dhe e gjitha kjo, po ndodh në sfondin e mosmarrëveshje të mëtejshme të Turqisë me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian. Turqia nuk është dakord me mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i japin luftëtarëve kurdë në verilindje të Sirisë, për të cilët Ankaraja thotë se kanë lidhje me grupet separatiste terroriste kurde që veprojnë në Turqi.
Turqia po vazhdon shpimet e diskutueshme për naftë dhe gaz në Mesdheun Lindor, duke pretenduar se është e autorizuar nga qeveria turke në të ashtuquajturën Qipro e Veriut, një vend që nuk njihet nga asnjë vend tjetër veç Ankarasë. Dhe së fundi, shtypja e vazhdueshme nga ana e presidentit Rexhep Tajip Erdogan ndaj mediave kritike, gjyqësorit dhe opozitës, ka ngritur shqetësime të ligjshme në lidhje me autoritarizmin në Turqi.
Por sa serioze është kjo çarje? Dhe çfarë mund të bëhet për të shpëtuar marrëdhënien mes Turqisë dhe aleatëve të tjerë të NATO-s? Së pari, administrata Trump dhe evropianët duhet të dinë se në këtë konflikt, janë në rrezik shumë gjëra. Erdogan është një politikan krenar, dhe ai nuk ka ndonjë dashuri të veçantë për NATO-n.
Unë e kam takuar disa herë kur ai ishte kryeministër, dhe unë komandant i lartë ushtarak i NATO-s. Ai ka dyshime të forta në përgjithësi ndaj ushtarakëve, një prirje e forcuar nga grushti i tentuar kundër tij 3 vjet më parë, të cilin ai këmbëngul se ishte orkestruar nga ushtria turke.
Por nga ana tjetër, Turqia ka qenë prej kohësh një anëtare shumë efikase e aleancës. Forcat turke nën komandën time, ishin shumë profesioniste dhe pjesë e operacioneve tona në Afganistan, Libi dhe Ballkan, si dhe kundër dukurisë së piraterisë në det. Humbja e kombit që ka ushtrinë e dytë më të madhe në aleancë, do të ishte një gafë e rëndë gjeopolitike.
Ajo do të krijonte ndërkohë një precedent të rrezikshëm, sesi ndihet një vend i dëbuar si pasojë e sanksioneve. Prandaj Perëndimi duhet të angazhohet drejt një arritjes së një rezultati, që minimalisht e mban Turqinë një anëtare funksionale dhe kontribuese të NATO-s.
Së dyti, duhet që debati të zhvendoset larg kontekstit aktual të një mosmarrëveshjeje SHBA-Turqi, dhe të përqendrohet në selinë e NATO-s në Bruksel. NATO ka 29 anëtarë, dhe së shpejti 30, pasi Maqedonia e Veriut do të anëtarësohet me siguri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. Nevojitet një zë i bashkuar i aleancës, për ta bindur Turqinë se blerja e sistemit rus S-400 është një gabim, por jo fundi i anëtarësisë së saj në NATO.
Së treti, aleatët e NATO-s duhet të mendojnë në një mënyrë më kreative, se si t’i adresojnë shqetësimet specifike që kanë rreth sistemit rus. Për shembull, mund të ketë zgjidhje teknike për të “përjashtuar” S-400 nga pjesa tjetër e sistemit të mbrojtjes ajrore të NATO-s, që komandohet nga baza ajrore Ramshtajn në Gjermani.
Apo mos ndoshta NATO duhet t’i inkurajojë turqit, të lënë mbyllur në hangar S-400, dhe më pas t’i shesin Ankarasë një sistem tjetër të mbrojtjes ajrore, ndoshta me një çmim më të ulët, për të përmbushur nevojat e saj legjitime për t’u mbrojtur?
Trump i ka ofruar Turqisë raketat Patriot, teksa SHBA ka sisteme të tjera të mira, që nuk kanë tiparet e sistemit rus S-400. Dhe sa i përket shitjes së avionëve F-35 tek Turqia, a nuk mund të vonohet në vend se të anulohet për shkak të sanksioneve ky transaksion, teksa NATO merret me sheshimin e mosmarrëveshjeve?
Së fundi, nuk do të kishte asgjë të keqe sikur të rritej nivelit i angazhimit në fronte të tjera kryesore, nga një shkëmbim shumë më i madh i vizitave të delegacioneve, për të inkurajuar një kontribut më të madh të Turqisë në misionet e tjera të NATO-s, deri tek bisedat personale.
Për shembull, ministri turk i Mbrojtjes, ish-gjenerali Hulusi Akar, është një mik i imi, i mirënjohur dhe i respektuar në Pentagon. Një integrim më diplomatik dhe operacional, jashtë kuadrit relativisht të ngushtë të mbrojtjes ajrore, mund të jetë shumë i dobishëm. Jeta është plot zgjedhje, si për individët ashtu edhe për kombet. Nëse Turqia zgjedh të shkojë përpara me blerjen e sistemit rus S-400, të dyja palët në këtë mosmarrëveshje, duhet të punojnë për të arritur një rezultat të pranueshëm.
I cili që nuk e dobëson aleancën, por që gjithashtu ruan integritetin e mbrojtjes ajrore të NATO-s. Dhe shmang vjedhjen e teknologjisë së avionëve luftarakë F- 35. Kjo mund të arrihet, por do të kërkojë shumë punë dhe gatishmëri për kompromise./ TIRANA TODAY
Shënim:Xhejms Stavridis, është admiral në pension i Marinës Amerikane, dhe ish-komandant suprem i trupave të NATO-s në Evropë.