Bota

Turqia arreston katër kryetarë të komunave me shumicë kurde


               Publikuar në : 12:13 - 15/10/19 Gentjan Progni

Policia turke i ka arrestua katër kryetarë komunash, të cilët janë pjesë e një partie pro-kurde, duke i zgjeruar masat ndaj kësaj pakice që nga nisja e operacionit ushtarak në pjesën veriore të Sirisë javën e kaluar.

Kryetarët e komunave me shumicë kurde, Hakkari, Yuksekova, Ercis dhe Nusaybin, janë anëtarë të Partisë Demokratike Popullore, e cila ka qëndrim përkrahës ndaj kurdëve. Ata u arrestuan nën akuzat për lidhje me terrorizëm, pa dhënë ndonjë hollësi tjetër për shkeljet e mundshme të tyre.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, dhe qeveria e tij e kanë akuzuar këtë parti se është e lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit. Institucionet turke të drejtësisë i kanë ndjekur penalisht mijëra anëtarë të kësaj partie për të njëjtën arsye, ndonëse partia i ka mohuar këto akuza.

Ndonëse shumica e partive opozitare turke e kanë përkrahur ofensivën në Siri, Partia Demokratike Popullore ka bërë thirrje që operacion ushtarak të ndalet, duke e cilësuar atë si përpjekje për pushtim. Kjo parti gjithashtu ka thënë se kjo ofensivë është përpjekje e qeverisë për ta rritur përkrahjen e popullit për shkak të dobësimit të saj kohëve të fundit.

Zyrtarët e kësaj partie thanë se 151 anëtarë të saj, përfshirë zyrtarët rajonalë, janë arrestuar gjatë javës së kaluar, prej kohës kur ka filluar sulmi i ushtrisë turke në Siri, raportoi Reuters, i cituar nga Express.

Javën e kaluar, policia turke nisi hetime kundër liderëve të Parisë Demokratike Popullore për shkak të kritikave të saj ndaj ofensivës në Siri. Policia po i heton më shumë se 500 llogari në rrjetet sociale, të cilat besohet se janë përdorur për të shpërndarë propagandë.

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT