Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar në “Facebook”, foton e një prej të arrestuarve në Shkodër. Sipas tij, ai është mik me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
“Erogen Brajoviç, i arrestuar dje ne Shkodër mik për koke i Lal Plehut!”, ishte ky postimi i shkruar nga Berisha.
Por menjëherë ka reaguar në statusin e Berishës motra e Brajoviç, Borana Spiro, e cila përgënjeshtron ish- kryeministrin, duke deklaruar se ai nuk ka qenë dhe as është mik me Erion Veliajn, por ka qenë në momentin e celebrimit të saj në martesë.
“Kjo foto është në ceremoninë martesore timen. Dhe nuk e kuptoj me çfarë të drejte e poston. Kjo është 1 ndër 1 milionë gënjeshtra që bën përditë. Lërë politikën e të shpëtojë populli shqiptar se e mbyte me intriga dhe rrena. Erogeni nuk është ai që thonë mediat por një familjar dhe njeri i qetë, nuk përzihet në krime. Turp të të vijë, je kancer i shqiptarëve”, shkruan Borana Spiro, motra e të arrestuarit.
Erogen Brajoviç, i arrestuar dy ditë më parë në Shkodër pas vrasjeve të njëpasnjëshme të ndodhura në këtë qytet, është djali i ish-futbollistit të njohur të Vllaznisë dhe kombëtares shqiptare, Millan Vaso Brajoviç.