Nëse po përpiqeni të shmangni viruset që gjenden në ajër, një udhëtim i shkurtër në hapësirë mund të mos jetë ideja më e keqe. Një kompani në Florida të SHBA-së, po planifikon që të shëtisë pasagjerët në hapësirë, përmes një versioni të teknologjisë së lartë të një baloni me ajër të nxehtë.
Pajisja mund të mbajë 1 pilot dhe deri në 8 udhëtarë, që hipin brenda një kapsule. Kompania fluturimeve hapësinore “Space Perspective”, po pranon që tani rezervimet në anijen e saj hapësinore “Neptun” për fluturimet që nisin në fillim të vitit 2024, dhe çmimi i një bilete është 125.000 dollarë.
Fluturimi i parë në formën e një testimi u krye më 18 qershor nga baza “Space Coast Spaceport” në Titusvil të Floridës. Fluturimi prej 6 orë e 39 minutash, u realizua pa njerëz brenda, por kamerat në bord kapën një imazh mahnitës të Tokës gjatë lindjes së Diellit.
“Space Perspective”, thotë se fluturimi-provë, ishte një moment historik në projektin e tij për të çuar turistët për një shëtitje në hapësirë gjatë kohës së tyre të lirë.
”Ne jemi të përkushtuar për ta ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si njerëzit kanë qasje tek hapësira, si për të kryer kërkimet e nevojshme për të përfituar nga jeta në Tokë, dhe për të ndikuar tek mënyrën se si ne e shohim dhe jemi të lidhur me planetin tonë”-thotë themeluesja dhe bashkëdrejtuesja e “Space Perspective”, Xhejns Pointer.
Ndërsa fluturimet e para të “Space Perspective” do të fillojnë nga Florida, kompania po planifikon të ndërtojë pista të tjera në të gjithë botën. Udhëtimet 6-orëshe në hapësirë, do të përfshijnë një ngritje të butë 2-orëshe duke përshkruar mbi 99 për qind të atmosferës së Tokës, derisa të arrihet në lartësinë 30.5 km nga toka.
Pastaj pasagjerët do të ketë edhe 2 orë të tjera në dispozicion për të shijuar pamjet 360 gradëshe nga kabina e kapsulës, përpara se anija kozmike të nisë zbritjen e saj 2-orëshe në oqean, ku do të zbarkojë në mënyrë të sigurt.
Udhëtimi drejt bregut do të përfundojë me anije. Anija kozmike, është projektuar në bashkëpunim me studion britanike të dizajnit “PriestmanGoode”. “Ne pamë me detaje të gjithë elementët e ndryshëm, që do ta bëjnë këtë përvojë jo vetëm të paharrueshme, por vërtet të rehatshme”- thotë Najxhëll Gud, dizajner dhe themelues i “PriestmanGoode”.
“Ne donim të siguroheshim që pasagjerët të jenë në gjendje të kishin një panoramë pa pengesa dhe në 360 gradë, ndaj krijuam në bord një hapësirë efikase, që do t’u japë atyre mundësinë të lëvizin gjatë udhëtimit”- theksoi ai.
Kapsula ka një me diametër prej 5 metrash, ndërsa baloni prej polietileni sipër saj, ka një diametër prej 33 metrash kur fryhet plotësisht dhe gjatësinë e një fushe futbolli. “Space Perspective”, pretendon se udhëtimi do të jetë i thjeshtë si hipja në një avion të zakonshëm.
Bashkëthemeluesit e “Space Perspective” Xhejn Pointer dhe Taber Mekalum, krijuan më herët krijuan sistemin e ajrit, ushqimit dhe të ujit për bazën hapësinore “Biosphere 2”, brenda të cilës ata jetuan për dy vjet.
“Baloni ynë i përparuar hapësinor, është krijuar për të funksionuar në vakumin që gjendet në skajet e atmosferës së Tokës”-thotë faqja e internetit e kompanisë. ”NASA ka përdorur balona të ngjashme për dekada me radhë, për çuar në hapësirë teleskopë të mëdhenj për qëllime kërkimore”’- theksohet më tej.
Ndërsa heliumi është në sasi të pakta, pasi është i nevojshëm për procese shumë të rëndësishme në mjekësi, anija “Neptun” përdor si karburant hidrogjenin. “Gazi brenda balonës është më i lehtë sesa ajri, dhe kjo gjë i jep mundësi Neptunit të udhëtojë në skajet atmosferës së Tokës, si një kub akulli mbi ujë”- thotë kompania.
Turisti i parë hapësinor në botë, ishte milioneri amerikan Denis Tito, që në prillin e vitit 2001 shkoi në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (ISS) përmes një rakete ruse “Soyuz”. Që nga ajo kohë, vetëm një pjesë e vogël e biznesmenëve, kanë ndjekur gjurmët e tij.
Por kompani si “SpaceX” e si Elon Musk, “Blue Origin” e Xhef Bezos dhe “Virgin Galactic” e Riçard Branson, po investojnë shumë për turizmin hapësinor, në mënyrë që ai të bëhet ndër-yjor. Bezos planifikon që të lëshojë muajin e ardhshëm anijen e tij sub-orbitale.
Ndërkohë “SpaceX” u propozon të pasurve që me disa milionë dollarë të kursyera, mund të kalojnë disa ditë duke udhëtuar në orbitën përreth Tokës, apo edhe të qëndrojnë në bordin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar. Ndërkohë edhe “Virgin Galactic”, kreu fluturimin e saj të parë në formën e provës në fundin e muajit maj.
Burimi i lajmit: https://edition.cnn.com/travel/article/spaceship-neptune-balloon-flights-scn/index.html
Përshtatur nga TIRANA TODAY