Presidenti amerikan, Donald Trump shprehu keqardhje që Rusia nuk po i bashkohet përpjekjeve të SHBA-ve dhe Kinës, për të rritur presionin ndaj Koresë së Veriut në lidhje me programet e saj ushtarake.
Lëshimi i raketave balistike dhe testet bërthamore të Phenianit, të dënuara në mënyrë të përsëritur nga komuniteti ndërkombëtar, si dhe replikat e ashpra mes presidentit amerikan dhe liderit koreano-verior, Kim Jong-Un vazhdojnë të rrisin tensionet, në sfondin e kërcënimit të konfliktit.
“Kina po jep kontributin e saj, Rusia aspak. Ne do të donim ndihmën e Rusisë”, u shpreh Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë një ditë pas një bisede telefonike me homologun rus, Vladimir Putin, që kishte në fokus Korenë e Veriut.
“Presidenti rus pohoi në mënyrë mjaft pozitive, në lidhje me ato që kam bërë për vendin në fushën e ekonomisë, por u shpreh negativisht në lidhje me ç’po ndodh jashtë vendit tim”, vijoi miliarderi republikan.
“Por çështja kryesore, ishte të flisnim për Korenë e Veriut, pasi ne do të donim të kishim ndihmën e tij për Korenë e Veriut”, deklaroi Trump.