Presidenti Donald Trump filloi tubimin e tij për kandidatin e kongresit të Pensilvanisë, Rick Saccone me një mesazh të thjeshtë për mbështetësit e tij.
“Më bëni një nder”, i tha turmës së madhe të mbledhur në një hangar në aeroportin e Pitsburgut. “Dilni nga shtëpia të martën, votoni për Rick Saccone dhe ne mund të largohemi tani”.
Por në vend që të largohej, Trump kaloi më shumë se një orë në atë që ndjehej më shumë si një fushatë për vetveten sesa për Saccone, duke folur për fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2016, për përmbushjen arritjeve që nga viti i tij i parë si president, rivalët e egër dhe madje edhe zbulimin e parullës së fushatës së tij për zgjedhjet e 2020-ës.
“Keep America Great!” (Të mbajmë Amerikën të madhe), është ky slogani, duke nënkuptuar se premtimi i parë është përmbushur tashmë nga Trump.
Por, teksa u përmend takimi me diktatorin Kim Jong-un, turma filloi të fishkëllejë, ndërsa Trump i doli në mbrojtje.
“Jo, është shumë pozitive. Pas takimit mund ta bëni atë, por tani duhet të tregohemi shumë të mirë”, tha presidenti amerikan.
Trump tha se ai beson se Koreja e Veriut dëshiron të bëjë paqe dhe varësisht se si shkojnë gjërat kur të takojë Kim Jong-un, “mund të largohem shpejt, ose mund të ulemi dhe të bëjmë marrëveshjen më të madhe për botën”. TIRANA TODAY