Agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve, të pajisur me autorizime të gjykatës, konfiskuan dokumente të avokatit personal të presidentit Donald Trump, Michael Cohen, në zyrën e tij në Mahatan të Nju Jorkut.
Kjo u bë e ditur në një deklaratë të avokatit të zotit Cohen, Stephen Ryan.
Ai tha se urdhrat për kërkimin e dokumenteve u ekzekutuan nga zyra e avokatit amerikan për qarkun jugor të Nju Jorkut, por ato kanë lidhje vetëm “pjesërisht” me hetimet e prokurorit të posaçëm Robert Mueller.
Zoti Ryan tha se agjentët konfiskuan “komunikime klient-avokat që mbrohen me ligj,” por nuk dha hollësi mbi përmbajtjen e tyre. Ai shtoi se përdorimi i mandateve të kërkimit ishte “krejtësisht i papërshtatshëm dhe i panevojshëm”.
Michael Cohen është avokati personal i zotit Trump.
Muajt e fundit, ai është vënë nën vëzhgimin e pandërprerë të medias, për shkak të një pagese prej 130 mijë dollarësh që i ka bërë aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, e cila pretendon se ka pasur lidhje intime me zotin Trump në mesin e viteve 2000, shkruan voa.
Presidenti Trump thotë se nuk ka qenë në dijeni të pagesës, për të cilën disa ekspertë ligjorë thonë se mund të jetë nxjerrë nga kontributet për fushatën e tij zgjedhore dhe si rrjedhojë ka qenë e paligjshme.