Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj gjobës prej 120 milionë eurosh që Komisioni Europian i ka vendosur rrjetit social X, në pronësi të Elon Musk.
Ai e cilësoi vendimin si “të padrejtë” dhe shumë të ashpër, duke paralajmëruar se Europa po ecën në drejtime të këqija.
Trump tha se pret një raport të plotë mbi rastin, ndërsa shtoi se Elon Musk nuk i ka kërkuar ndihmë për këtë çështje.
“Kjo është e rëndë. Elon nuk më ka telefonuar të më kërkojë ndihmë për këtë. Por, është një gjë e vështirë. Nuk mendoj se është e drejtë. Nuk e kuptoj si mund ta bëjnë një gjë të tillë. Do të marr një raport të plotë për këtë. Shikoni, Europa duhet të jetë shumë e kujdesshme. Europa po shkon në disa drejtime të këqija. Shumë të këqija për njerëzit. Nuk duam që Europa të ndryshojë kaq shumë. Ishte një veprim i rëndë.”
Gjobën, BE-ja e ka vendosur në kuadër të rregullave të sigurisë dhe transparencës së platformave online, të cilat, sipas saj, kompania X i ka shkelur.
Ky është sanksioni i parë i madh në kuadër të ligjit të ri europian DSA, i cili kërkon që platformat të luftojnë më fort përmbajtjen e rrezikshme dhe të paligjshme.
Hetimi dy-vjeçar i Komisionit Europian arriti në përfundimin se X ka përdorur dizajn mashtrues për shenjën blu të verifikimit, nuk ka ofruar transparencë të mjaftueshme për reklamat dhe ka refuzuar t’u japë studiuesve akses në të dhënat publike.
Kompania “X” ka nga 60 deri në 90 ditë kohë për të paraqitur masat e pajtueshmërisë.














