Tronditja e tregjeve të punës

Marrë nga Monitor

Tregjet e punës po funksionojnë, por gjithashtu po ndryshojnë. Tregjet e punës e kanë përballuar Covid-19 më mirë sesa pritej. Por ato kanë ndryshuar, shkruan The Economist

Shifrat e vendeve të punës ishin të zymta një vit më parë. Papunësia në të gjithë vendet e pasura u rrit nga 5% në 9% në prill 2020. Në Amerikë, papunësia u rrit nga 4% në gati 15% në një muaj, një rritje kaq e shpejtë sa u prishën disa kompjuterë të sigurimeve shoqërore. Në parashikimet e qershorit 2020, OECD parashikoi se do të vinte një periudhë edhe më e keqe. Nëse do të kishte një valë të dytë Covid-19 në fund të vitit, sipas organizatës, papunësia do të arrinte në 12.6%, dhe nuk do të binte nën 10% deri në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Kishte arsye të mira për të pritur që papunësia e lartë të vazhdonte. Ashtu si çmimi i benzinës, edhe ajo ka tendencën të rritet shpejt, por vështirë se ulet. Pesëdhjetë vjet të dhëna nga Amerika, Australia, Kanadaja dhe Japonia, tregojnë se rritjet e papunësisë ndodhin 50% më shpejt sesa rëniet.

Një punonjëse mund ta boshatisë tryezën e saj të punës brenda pak minutash, por kërkimi, aplikimi dhe marrja në pyetje për një punë, kërkon kohë. Pas recesioneve, shefat janë të kujdesshëm në lidhje me punësimin e punonjësve të rinj, pasi duan të jenë të sigurt që biznesi është rimëkëmbur vërtet. Për më tepër, pandemia doli edhe më e egër sesa parashikonte OECD-ja dhe disa vende përjetuan tre valë infeksioni. Megjithatë, papunësia në të gjitha vendet e këtij klubi ra shpejt, nga kulmi prej 9% në pranverë. Deri në fund të vitit 2020, ajo ishte 6.9%, sa gjysma e nivelit të cilit i druhej OECD.

Disa ekspertë shqetësohen se papunësia tani nuk është një udhëzues i qartë për tregun e punës, sepse një numër i madh njerëzish kanë dalë nga forca e punës. Po të bëjmë këtë korrigjim, duke supozuar se të gjithë ata që e kanë lënë fuqinë punëtore, dëshirojnë me të vërtetë një punë, atëherë papunësia “e vërtetë” rritet me 1.5%. Ky është një ndryshim i madh, por jo i mjaftueshëm për të ndryshuar imazhin e një tregu pune që po ecën më mirë se sa pritej.

Përdorimi i të dhënave zyrtare është i ndërlikuar për një arsye tjetër. Në shumë vende, përfshirë Australinë, Japoninë dhe veçanërisht Europën, qeveritë krijuan skema të tjera kundër papunësisë, sipas të cilave njerëzit llogariteshin si të punësuar, edhe pse nuk po punonin.

Ka pasur përpjekje për të korrigjuar këtë, duke përfshirë një nga banka UBS, që analizon orët e punës në mbarë ekonominë për të vlerësuar normën e papunësisë “në hije”. Megjithatë, ka prova të një kthimi prapa. The Economist ka përshtatur metodologjinë e UBS dhe ka zbuluar se niveli i papunësisë në hije në Europë, u rrit nga 7% në 2019 në 20% në tremujorin e dytë të vitit 2020, por ra në 10% në tremujorin e tretë dhe ndoshta ka rënë më tej që atëherë.

 

Ana unike e recesionit

Ana unike e një recesioni të shkaktuar nga pandemia mund të shpjegojë pse rimëkëmbja e tregut të punës ka qenë më e shpejtë se sa pritej. Vendet e pasura janë bërë më efikase në përballimin e masave bllokuese. Restorantet kanë gjetur mënyra për të ofruar shërbime në distancë. Qeveritë kanë lejuar që të vazhdojnë më shumë aktivitete me rrezik të ulët, si prodhimi dhe ndërtimi. Edhe nën karantinë, kërkesa për punëtorë ka qenë më e lartë se sa ishte kur goditi Covid-19 në fillim të vitit 2020.

Lloji i papunësisë ka rëndësi. Pranverën e kaluar, shumica dërrmuese e amerikanëve të papunë thanë se ishin “në pushim të përkohshëm”, që do të thotë se ishin të papunë përkohësisht, por mund të gjenin sërish punë së shpejti. Kthimi në një punë të vjetër është më i lehtë sesa gjetja e një pune të re. Një shumicë e madhe e individëve që nuk ishin më të papunë në maj dhe qershor të vitit 2020, u kthyen për të punuar te punëdhënësit e tyre të mëparshëm, sipas një studimi në shkurt nga Instituti JPMorgan Chase.

Fakti që falimentimet e korporatave kanë qenë shumë më të ulëta sesa prisnin shumë njerëz, gjithashtu do të thotë se më shumë punëtorë janë kthyer në punët e vjetra. Për shumë njerëz që duhej të braktisnin punën njëherë e mirë, “rialokimi” i tregut të punës u ka gjetur atyre mundësi të reja. Megjithëse kërkesa për hotelerinë, argëtimet dhe udhëtimet ka rënë, pandemia ka krijuar nevoja të reja, nga gjurmuesit e kontakteve, te trajnerët e Zoom. Bumi i blerjeve online ka rritur në mënyrë të ngjashme kërkesën për punëtorët e magazinave dhe shoferët shpërndarës.

Lexo edhe :   Rritja e çmimit të apartamenteve në bregdet nuk ndalet

Si rezultat, vendet e punës po lulëzojnë. Një studim i kohëve të fundit nga José Maria Barrero në Itam Business School, ka zbuluar se shkalla e rialokimit të punësimit në Amerikë (që llogarit se sa firma krijojnë vende pune dhe sa të tjera i eliminojnë ato), është dyfishuar në krahasim me nivelin e saj para pandemisë. Në mes të marsit 2021, njoftimet për punë në Indeed, një faqe amerikane online, u rritën mbi 9%. Rialokimi në Europë ka qenë më i ngadaltë, pjesërisht për shkak se skemat shtesë i kanë mbajtur punëtorët të lidhur më gjatë me punët para pandemisë.

Në 11 vende europiane, vendet e lira të reklamuara ranë me 50% gjatë krizës financiare të viteve 2007-‘09, por me vetëm 25% gjatë pandemisë. Në Australi, e cila kaloi në një karantinë të ashpër, por tani po rihapet, vendet e lira të punës janë 20% mbi nivelin e mëparshëm.

Kërkesa shtesë për punëtorë është përmbushur pjesërisht nga kompanitë ekzistuese. Por firmat e reja gjithashtu kanë hyrë në treg për të mbushur boshllëqet. Amerika ka përjetuar një shpërthim të firmave startup. Në vitin 2020, sipas të dhënave zyrtare, u themeluan 1.5 milionë firma që ka të ngjarë të punësojnë njerëz, një rritje prej 16% në krahasim me vitin 2019. Vende të tjera, si Britania, Kanadaja dhe Franca, përjetuan një rritje po aq të madhe në krijimin e biznesit, në gjysmën e dytë të vitit 2020. Një rimëkëmbje me shumë firma startup, zakonisht është më e pasur me vende pune, pasi firmat e reja zakonisht zgjerohen më shpejt.

Teknologjia ka lehtësuar procesin e rialokimit. Krahasuar me recesionin pas krizës financiare, faqet online për kërkimin e vendeve të punës, si Indeed dhe Monster, tani përdoren më gjerësisht. Kjo e bën më të lehtë që firmat të gjejnë punonjës dhe anasjelltas. Yong Kim nga Wonolo, një platformë për punëtorët që kryejnë punë fizike, me qendër në San Francisko, thotë se në ditët e para të pandemisë, shumë industri, përfshirë qendrat për dërgesa online, patën probleme me mungesa në fuqinë punëtore, por platforma e tij i ka ndihmuar njerëzit të plotësojnë boshllëqet.

Rimëkëmbja e tregut të punës në vendet e pasura ka ende një rrugë të gjatë përpara. Gjatë dimrit, në hemisferën veriore, rënia e papunësisë u ngadalësua, duke reflektuar edhe rritjen e rasteve me Covid-19. Shumica e papunësisë së mbetur është përqendruar tek të varfrit. Në Amerikë, numri i vendeve të punës që ofrojnë më pak se 27,000 dollarë në vit, u ul me mbi 25% në janar 2021, në krahasim me janarin 2020. Në Europë, papunësia te njerëzit me arsim të lartë është pak më e lartë se sa para pandemisë, por shumë më e lartë për personat me arsim të mesëm. A do të lejojnë vaksinat që njerëzit e varfër të gjejnë përsëri punë – apo kjo do të jetë e vështirë edhe në vitet në vijim?

Zakonet e konsumatorëve do të përcaktojnë pjesërisht fatin e punëtorëve me pagë të ulët. Edhe nëse kërcënimi nga Covid-19 do të zbehet, njerëzit mund të jenë më të lidhur me shtëpinë se më parë, ose ngaqë nuk duan të ndërmarrin rreziqe, ose sepse punojnë më shpesh nga shtëpia. Si rezultat, kërkesa për llojet e punëve me paga të ulëta që nuk mund të kryhen nga shtëpia – si personeli i shërbimit, punonjësit e hotelit ose stjuardesat – mund të jetë më e ulët se më parë.

Megjithatë ka arsye për të shpresuar se pandemia nuk do t’i kthejë njerëzit në vetmitarë. Në Zelandën e Re, frekuentimi i restoranteve, kafeneve, qendrave tregtare dhe parqeve është më i lartë se para pandemisë. Sipas platformës së prenotimeve OpenTable, në dy muajt e parë të vitit 2021, numri i darkave në restorantet australiane ishte 65% më i lartë se para pandemisë. Për shkak se kufijtë janë të mbyllur, australianët po shpenzojnë më shumë në nivel lokal. “Pijet Martini ishin aq të mira”, tregon një bon vivant në Sidnei, “sa që nuk porositëm verë me vaktin. Thjesht blemë secili nga shtatë Martini”.

Por edhe në Australi dhe Zelandën e Re, punësimi është disi më i ulët se normalisht. Dhe të papunët përfshijnë më shumë punëtorët me paga të ulëta. Tronditja nga Covid-19 diku tjetër ka qenë edhe më e madhe, duke e rritur mundësinë që preferencat e konsumatorëve të kenë ndryshuar përgjithmonë dhe që disa punëtorë të kenë humbur zakone që i bën ata më të punësueshëm. Vala e ardhshme e vendeve të punës nuk do t’i kapë të gjithë, të paktën jo për njëfarë kohe. Megjithatë, vrulli do të jetë më i gjerë dhe më i fuqishëm sesa kishin parashikuar edhe ekspertët optimistë.