E hënë, 1 Mars, 2021
11 C
Tirana

Trofim Lisenko: Agronomi që shkaktoi vdekjen nga uria të miliona njerëzve

Për udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik, asgjë nuk dukej e pamundur. Ata kishin përmbysur rendin e vjetër, dhe kishin shmangur përballjen e mëtejshme me ushtritë më të mëdha të botës në Luftën e Parë Botërore. Dhe besonin se hapi tjetër logjik ishte “pushtimi” i botës shkencore.

Këtu hyri në skenë Trofim Lisenko. Ai ishte një agronom i paaftë, por që fitoi çuditërisht respektin e udhëheqësve të lartë sovjetikë. Lisenko mendonte se farat e bimëve mund të “edukoheshin” apo të trajnoheshin të reagonin direkt ndaj stimujve në mjedisin e tyre.

Si kreu i bujqësisë sovjetike, Lisenko pretendonte se falë pseudoshkencës së tij, Bashkimi Sovjetik mund të prodhonte të gjitha llojet e të korrave. Ajo që pasoi ishte një seri eksperimentesh bujqësore të çuditshme që përfunduan në katastrofë, uri dhe që shkaktuan vdekjen e deri 7 milionë njerëzve.

Trofim Lisenko, u rrit në varfëri në Ukrainë. Që i vogël e kishte vuajtur zinë e bukës. Ndaj e shihte mungesën u ushqimit si një “armik” që mund të mposhtej. Duke iu përkushtuar shkencës, Lisenko u bë një agronom në vitin 1925, dhe në fillim u vendos në një qendër të largët kërkimore në Azerbajxhan.

Ai besonte se bimët dhe farat mund të trajnohen, duke ndjekur parimet organizative socialiste. Teoria e tij, që do të quhej “Lysenkoism”, pretendonte se të korrat mund të trajnohen për t’iu përshtatur kushteve atmosferike, dhe për të prodhuar rendimente të mëdha.

Sipas asaj që ai e quajti “ligji i jetës së specieve”, farat nuk do të konkurronin me njëra-tjetrën, por përkundrazi ata do të bashkëpunonin, ashtu si njerëzit. Duke zbatuar parimin marksist të materializmit, në të cilin kushtet që rrethojnë një individ diktojnë sjelljet dhe përgjigjet e tij, Lisenko besonte vërbërisht se edhe bimët dhe kafshët, mund të ri-formatoheshin sipas nevojës.

Kështu ai besonte se bizelet mund të rriteshin edhe dimër, dhe këtë e vërejti në disa eksperimente. Por ajo që kishte ”zbuluar” në fakt është një proces i mirënjohur, në të cilin i ftohti ekstrem i nxit farat të lulëzojnë. Fshatarët rusë, por dhe fermerë nga e gjithë bota, e kishin bërë këtë për shekuj me radhë.

Por Lisenko mendonte se ishte një shpikje e tij, dhe e promovoi gjerësisht në media. Në vitin 1928, Stalini filloi kolektivizimin e të gjitha fermave në të gjithë Bashkimin Sovjeti. Por  rezultati ishte katastrofik. Të mbjellat u shkatërruan, gruri u grumbullua me forcë, dhe uria përfshiu gjithë vendin.

Stalini ishte i dëshpëruar për një zgjidhje magjike, ndaj kur dëgjoi mbi shkencëtarin e ri, e thirri në zyrë, dhe e urdhëroi të përhapte idetë e tij qesharake në fermat kolektive. Lisenko premtoi ta shndërrojë gjithë Bashkimin Sovjetik në një super-fermë, që do të merrte prodhime të qëndrueshme në të gjitha stinët.

Këto fjalë ishin muzikë për veshët e Stalinit, por një sinfoni e vdekjes për miliona njerëz.

Zgjedhja e tij për t’i ekspozuar farat në temperatura të ndryshme, dhe për të ndalur përdorimin e pesticideve dhe plehrave, solli dështime rekord tek të korrat.

Veçanërisht skandaloze ishin trajtimet e tij, si pastrimi i farave me letër smeril apo futja e tyre në acid, që i dobësoi ato ndaj infeksioneve të ndryshme. Politikat e Stalinit, shkaktuan atë që sot njihet si Holodomor, një term në gjuhën ukrainase që përkthehet si “Epidemia e Urisë”.

Rreth 7-10 milion njerëz vdiqën nga uria, në kohën kur Lisenko mbikëqyrte fermat sovjetike, ndërsa historitë e kanibalizmit u përhapën me shpejtësi në gjithë vendin. Sipas Uilliam Lambert, profesor i historisë në Kolegjin e Komunitetit të Bronksit, deri në vitin 1932, “uria në Ukrainë ishte aq e madhe, sa që pamjet e viktimave që binin të vdekur në rrugë nga uria, nuk u bënte më askujt përshtypje”.

Shumë prej atyre viktimave mund të ishin shpëtuar, po të kishte funksionuar shkenca agronomike normale. Ironikisht, vlerësimi për Lisenkon u shtua. Në vitin 1939, ai u mbështet aq shumë, sa që pas një beteje të gjatë ideore me gjenetistin Nikolai Vavilov, Lisenko arriti të vinte nën kontrollin e tij gati të gjitha kërkimet sovjetike në fushën e ushqimit.

Vavilov u arrestua më pas dhe u burgos, para se të vdiste nga uria në vitin 1943. Çdo shkencëtar tjetër që guxonte të vinte në dyshim “Lysenkoizmin”, rrezikonte të diskreditohej, burgosej, apo edhe të vritej.

Vdekja e Stalinit në vitin 1953, e zbehu ndjeshëm rolin e Lisenkos, ndërsa kryeministri Nikita Krushov rivendosi në krye gjenetistët e provuar, dhe filloi të importonte ide më të shëndosha shkencore nga jashtë Bashkimit Sovjetik. Sidoqoftë, tezat vdekjeprurëse të Lisenkos nuk u braktisën plotësisht.

Për afro 1 dekadë pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës, Mao Ce Duni importoi këshilltarë, libra, teknologji dhe ide sovjetike, përfshirë “Lysenkoizmin”. Midis viteve 1959-1961, rreth 45 milion kinezë vdiqën si rezultat i urisë, kequshqyerjes, sëmundjeve dhe dëmtimeve pasi fermat e vendit u shkatërruan nga idetë e Lisenkos. Trofim Lisenko u diskreditua publikisht në vitin 1964. Ai vdiq i lënë në harresë ​​në vitin 1976, në moshën 78 vjeçare.

Burimi i lajmit: https://allthatsinteresting.com/trofim-lysenko

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Kreu i PE: Të gatshëm të ndihmojmë Shqipërinë në luftën kundër Covid-19

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli ka reaguar pas takimit në Bruksel me kryeministrin Edi Rama. Sipas Sassoli, institucioni që ai drejton dha “ok”-in për...

Kosova në pritje të konfirmimit nga COVAX për marrjen e vaksinave

Ministria në detyrë e Shëndetësisë në Kosovë tha se është në pritje të “konfirmimit final” nga COVAX për marrjen e dozave të para të...

Ukraina hedh në plehra vaksinat anti-covid, mjekët refuzuan t’i marrin

Ukrania ka hedhur poshtë disa doza vaksina anti-covid pasi mjekët kanë refuzuar që t’i marrin. Në lidhje me këtë ka folur edhe kreu i Partisë...

A mund ta kishin pushtuar dot britanikët Bashkimin Sovjetik?

Më 2 shtator 1945, presidenti amerikan Herri Truman, shpalli fundin e Lufës së Dytë Botërore. Me dorëzimin e Japonisë, bota mund të merrte frymë...

Takimet në Bruksel, Rama: Vlerësime shumë të mira për Shqipërinë

Kryeminstri Edi Rama e cilësoi si një ditë pozitive dhe produktive vizitën e tij në Bruksel ditën e sotme. Edhe pse në momente të vështira...