Tritoli në oborr të banesës, gazetari: Ja për çfarë dyshoj

Gazetari Elidon Ndreka dyshon se vendosja e tritolit në pjesën e jashtme të hyrjes së  banesës, mund të jetë për shkak të profesionit të tij.

Ndreka ka pohuar se nuk ka konflikte me njeri, dhe arsyeja e vetme që mund të jetë bërë për vendosjen e lëndës plasëse, është puna e tij si gazetar.

“Atë do e zbardhë policia nëse mundet të zbardhet një akt i tillë. Dyshoj se mund të jetë për shkak të profesionit, por nuk di ku të drejtoj gishtin, nuk e di kush”, ka thënë gazetari.

Ai gjithashtu është shprehur se nga shpërthimi është tronditur e gjithë familja, e cila ka qenë në gjumë në momentin e ngjarjes.

Ngjarja ndodhi rreth orës 00:30, në fshatin Balldre, Lezhë, ku ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse, ku si pasojë ka vetëm dëme të vogla materiale.