Në fundjavë pritet të ushtrohen kontrolle të befasishme në të gjithë territorin e vendit. Njoftimi është publikuar nga Policia Rrugore, ndërsa qartëson se kontrollet zhvillohen me qëllim parandalimin e drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, parandalimin e shpejtësisë tej normave të lejuara e shkelje të tjera që janë burim aksidenti.
Policia Rrugore iu bën thirrje drejtuesve të mjeteve që duan të konsumojnë alkool gjatë fundjavës, të përdorin transportin publik.
Sakaq, Njësia Operacionale e Policisë Rrugore në DPPSH, në bashkëpunim me Sektorët e Policisë Rrugore në qarqe, gjatë kontrolleve blic në akset rrugore gjatë orëve të fundit, në aksin rrugor Tiranë – Rinas – Fushë-Krujë – Milot, duke përdorur makinat civile të pajisura me sistem sinjalizimi zanor ka evidentuar një sërë shkeljesh, të cilat janë burim aksidenti.
Si rezultat i kontrolleve, jo vetëm në këtë aks rrugor, por në të gjitha akset rrugore në vend, gjatë orëve të fundit janë pezulluar 69 leje drejtimi, nga këto: 13 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, 37 për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 19 për shkelje të tjera që ndëshkohen me pezullim të lejes së drejtimit.
Janë arrestuar 13 drejtues mjetesh, nga këta 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Janë evidentuar dhe ndëshkuar 188 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara, 117 drejtues motoçikletash pa kaskë mbrojtëse, 136 pa rrip sigurimi dhe 86 për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit.