Retrospektivë

Tre dekadat e tranzicionit, na penguan ta urrejmë deri në fund Enver Hoxhën


               Publikuar në : 11:52 - 16/10/19 A.F

Mbështetësit e diktatorit, që dalin ende rrugëve me pankarta në duar, duken si një specie e rrallë dhe në zhdukje. Por nostalgjikët e regjimit të Enver Hoxhës, janë ende të shumtë. Dhe jo pa arsye. 45 vitet e diktaturës, janë pasuar nga 29 vitet e një tranzicioni, që nuk ka të mbaruar. Kaosi që kemi prodhuar këto 3 dekada, me në krye klasën politike, po vazhdon që të na lërë në paradhomën e Evropës. Dhe nuk dihet edhe për sa kohë.

Pabarazia, është një tipar normal i një sistemi kapitalist. Por në Shqipëri, ajo ka marrë përmasa të frikshme. Në vitin 2019, të paktën çereku i shqiptarëve, i blenë ende ushqimet bazë me lista nëpër dyqane. Asistenca sociale, ka mbetur në kufijtë e qesharakes. Ajo nuk i garanton kurrsesi dinjitet qindra mijëra shqiptarëve, që përballen çdo ditë me mjerimin e skajshëm.

Prandaj gjen ende jehonë shprehja ironike “ishim më mirë, kur ishim më keq!”. Po për këtë arsye, krimet e tmerrshme të diktaturës, duken si diçka e largët, përballë krimeve të reja të epokës së “demokracisë”. Shqipëria ndodhet sot në një gjendje depresive. Liberalizimi i vizave, po shfrytëzohet si një mundësi për t’u arratisur nga sytë këmbët, dhe jo për të lëvizur nëpër Evropë, si çdo qytetar tjetër i këtij kontinenti.

Ndërsa e ka katandisur popullin në këtë derexhe, politika e ka gjithmonë gati justifikimin: Fajin e ka Saliu, Iliri, Rilindja… apo Evropa, që na bën “kokë turku” për hallet e veta. Në 3 dekada, ne shpërdoruam shanset që na ofroi demokracia dhe liria. Dhe fatkeqësisht, sot jo të gjithë e kujtojnë me neveri dhe përbuzje diktatorin./ TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT