Editorial - Opinione

Tre dekada pas Luftës së Ftohtë, demokracia është e rrezikuar në mbarë botën

               Publikuar në : 10:54 - 26/06/19 S.N

Nga Gavin Esler, “The National”

Vendet e Europës Lindore, po përgatiten të kremtojnë 30-vjetorin e çlirimit të tyre nga komunizmi sovjetik. Viti 1989, ishte një nga më të rëndësishmit në historinë botërore. Perëndimi e fitoi Luftën e Ftohtë, por ka shenja se vlerat tradicionale demokratike perëndimore, po  humbasin sërish terren.

Po shkruaj nga Berlini, një qytet i mbushur plot me kujtime të Luftës së Ftohtë. Gjermanët po përgatiten për festimet e rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, shembjen e komunizmit, dhe përmbushjen e ëndrrës që deri atëherë dukej e pamundur të Gjermanisë së ribashkuar.

Kohët e fundit shoqërova një mik që nuk e kishte vizituar asnjëherë Berlinin, dhe ai këmbënguli që të shkonim në “Checkpoint Charlie”. Ishte pika më e famshme e kalimit ndërmjet Berlinit Perëndimor dhe atij Lindor, vija e parë ndarëse midis 2 fuqive bërthamore, me dy ideologji konkurruese.

Miku im është pjesë e një brezi njerëzish, që u rrit duke menduar se “Checkpoint Charlie” ishte vendi nga ku do të shpërthente Lufta e Tretë Botërore. Çdo shtetas i Gjermanisë Lindore, që përpiqej të arratisej përmes Murit të Berlinit në Gjermaninë Perëndimore, do të qëllohej për vdekje ose burgosej, por konkurrenca mes superfuqisë ishte ndonjëherë komike.

Në vitet 1960, lindja komuniste ndërtoi një antenë gjigante televizive në Alexanderplatz, duke u siguruar që ajo të ishte më e madhe se sa e rivales së saj në Berlinin Perëndimor. Sot ajo kullë, është një pikë shumë e dashur reference e qytetit të ribashkuar.

Sot shenjat e vetme të dukshme të Murit të Berlinit, janë tani disa banera të ekspozuara për turistët. Është e vështirë të imagjinohet se për vite me radhë ushtarët e armatosur rëndë, policia kufitare dhe tanke patrulluan nëpër këto rrugë. Sistemi sovjetik, krijoi një ekonomi difektoze, e cila nuk mundi dot të konkurronte me sipërmarrjen, inovacionin dhe konsumerizmin perëndimor.

Në fillim të vitit 1989, brenda komunizmit kishte shenja të theksuara të krizës. Unë isha gazetar i BBC-së kur studentët kinezë pushtuan Sheshin Tiananmen në Pekin, teksa udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev, po përgatitej të vizitonte Kinën. Publikisht, mes dy vendeve gjithçka ishte miqësore.

Privatisht, zyrtarët kinezë më thanë se Gorbachev ishte “i çmendur”, që po zbatonte programin e tij të perestrojkës dhe glasnostit (ristrukturimit dhe hapjes) në BRSS. Ata thanë se ishte e mundur të reformohej një sistem ekonomik. Madje edhe një sistem politik. Megjithatë, asnjë udhëheqës nuk mund t’i bënte që të dyja në të njëjtën kohë, pa shkaktuar kaos.

Dhe ata kishin të drejtë. Pekini i ndaloi më dhunë protestat në Sheshin Tiananmen, por e hapi ekonominë kineze ndaj botës, dhe ndërtoi një Kinë moderne, të diktuar nga konsumizmi.

Reformat e Gorbachev, ishin shumë më ambicioze, por rezultati ishte në fakt kaosi dhe shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik.

Lindën një varg demokracish të reja, nga Balltiku deri poshtë në jug të Evropës, ndërsa Gjermania Lindore u integrua me Perëndimin. Presidenti i atëhershëm amerikan, George H.W.Bush, foli për një “rend të ri botëror” dhe një “botë unipolare” me një superfuqi, Shtetet e Bashkuara.

NATO u zgjerua në Poloni dhe shtetet balltike. Bashkimi Evropian, pranoi anëtarë të rinj në vitin 2004. Idealet demokratike, kishin triumfuar në vitet e para të shekullit XXI-të. Tridhjetë vjet më pas, gjërat nuk janë dhe aq të sigurta. Në vitin 2019, ne kemi një botë të mbushur me demokraci të sabotuara, dhe me institucione demokratike të pabesueshme.

NATO është e minuar. Bashkimi Europian, është larg së qeni një organizatë e lumtur. Në Britani, një studim i ‘Hansard Society’, një grupim jo partiak, zbuloi se 54 për qind e të anketuarve dëshironin një udhëheqës të fortë dhe që thyen rregullat, ndërsa 42 për qind mendonin se shumë probleme mund të zgjidhen nëse qeveritë nuk varen më nga votat në parlament.

Ekstremistët politikë si Donald Trump, Vladimir Putin, Matteo Salvini dhe Nigel Farage, përfaqësojnë një autoritarizëm që tashmë është në rritje. Ata përdorin një retorikë të ashpër, dhe premtojnë një udhëheqje të dorës së fortë, por ndryshimi që ata mbrojnë nuk përfaqëson bashkëpunimin dhe kohezionin.

Në fakt, ajo që ata duan është një Kaos i Ri Botëror. Dhe këtu është gjëja vërtet e çuditshme. Në ditët e Luftës së Ftohtë, shumë evropianë perëndimorë e admironin kulturën ruse. Por sot Rusia e Vladimir Putinit nuk ka ndonjë figurë të shquar kulturore: asnjë Alexander Solzhenitsyn, Boris Pasternak apo Andrei Tarkovsky. Putin nuk ka një ideologji koherente botërore. Ai përdor në qeverisje stilin e një gangsteri që përleshet rrugëve.

Prodhimi i Brendshëm Bruto në SHBA është 53.000 dollarë, ndërsa në Gjermani 48.000 dollarë. Në Rusi, është vetëm 12.000 dollarë. Që nga viti 1989, Rusia ka mbetur një dështim ekonomik. Por në mënyrë të habitshme, disa politikanë dhe madje edhe disa votues e admirojnë njeriun e fortë që gjallon tek Putini.

Atë e admiron vetë presidenti amerikan. Kjo përbën një kujtesë, se teksa festojmë 30 vjetorin e një Evrope të lirë, rreziqet për demokracinë nuk janë zhdukur. Muret mund të rrëzohen, por ato gjithashtu mund të rindërtohen, madje edhe më të lartë se më parë./ Tirana Today

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT