Bota

Transmetimi live i masakrës në Zelandën e re, Zuckerberg flet për ndryshimet në Facebook

               Publikuar në : 17:24 - 04/04/19 S.N

Videoja e masakrës së ndodhur në Christchurch ku mbetën të vrarë 50 persona është parë më pak se 200 herë në Facebook por kaq ka mjaftuar që të bëjë xhiron e internetit. Brenton Tarrant, autori i sulmit ka transmetuar të gjithë ngjarjen live në Facebook.

Për këtë arsye qeveria e Zelandës së Re dhe autoritete të ndryshme i bënë thirrje Facebook të marrë masa në mënyrë që të ndalohen platformat me përmbajtje ekstremiste. Një nga masat e propozuara ishte edhe pengimi që një ‘livestream’ të shpërndahet me qëllim që të reduktohet numri i njerëzve që shohin një video me përmbajtje shqetësuese. Por, themeluesi i Facebook,  Mark Zuckerberg nuk e pranon këtë gjë. Në një intervistë për “Good Morning America” ai tha se kjo gjë do dëmtonte arsyen përse është krijuar opsioni i ‘livestreaming’.

“Është e vërtetë që një vonesë e shpërndarjes mund të sillte më pak njerëz që e panë videon, por kjo gjë do të prishte rrënjësisht atë për çfarë ne kemi krijuar ‘livestream’ dhe për çfarë e përdorin njerëzit. Shumë prej tyre transmetojnë live një ditëlindje, ose thjesht rrinë më miqtë e tyre edhe nëse nuk janë pranë. ‘Livestreaming’ është më shumë se transmetim, është komunikim sepse njerëzit komentojnë në kohë reale. Ndaj nëse do të kishim një pengim, atëherë ne do të prishnim funksionin e tij.”

Pas sulmit, Facebook pranoi se sistemi i tyre i inteligjencës artificiale dështoi për të kapur videon e transmetuar drejtpërdrejt të sulmit. Autori qëndroi live në Facebook për 17 minuta, me një kamer në trup që nga momenti kur është në makinë duke shkuar për tek xhamitë, e deri tek momenti kur përfundon të gjithë masakrën.

Facebook, Youtube dhe Twitter ndaluan mundësinë e shpërdarjes të çdo versioni të videos.

“Ajo ishte një ngjarje shumë e tmerrshme. Ndaj ne duhet të ndërtojmë sistemet tona në mënyrë të tillë që të jemi në gjendje të identifikojmë sulme terroriste të bëra publike drejtpërdrejt, shumë më shpejt,” tha gjatë intervistës Zuckerberg./ Burimi: CNN, Përshtati: Tirana Today

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT