Trajneri i Serisë A lë skuadrën, ‘ndoshta e mbyll karrierën këtu’, ja letra

Dorëheqja e Cesare Prandellit është zyrtare dhe ai ka publikuar dhe një letër duke shpjeguar lamtumirën e tij nga Fiorentina.

“Kjo është hera e dytë që largohem nga Fiorentina. E para me urdhër të të tjerëve, sot vendim i imi. Në jetën e secilit, përveç gjërave të bukura, grumbullohen mbeturina, helme që ndonjëherë të faturohen të gjitha së bashku.

Në këtë moment të jetës sime e gjej veten në një shqetësim absurd që nuk më lejon të jem ky që jam. Unë fillova këtë përvojë të re me gëzim dhe dashuri, i rrëmbyer gjithashtu nga entuziazmi i punës së re. Dhe ndoshta ka qenë dashuria për qytetin, për kujtesën e momenteve të mira sportive që kam jetuar atje që bëri të isha i verbër ndaj shenjave të para që diçka nuk shkonte, diçka nuk ishte në vendin e duhur brenda meje.

Vendimi im diktohet nga përgjegjësia e madhe që kam para së gjithash për lojtarët dhe për klubin, por jo më pak për respektin që i detyrohem tifozëve të Fiorentinës.

Ata që luajnë në këtë nivel pa dyshim që kanë një talent specifik, ata që kanë talent janë të ndjeshëm dhe kurrë nuk do të dëshiroja që sikletet e mia të perceptohen dhe të ndikojnë në performancën e ekipit.

Muajt ​​e fundit, një hije është rritur brenda meje që gjithashtu ka ndryshuar mënyrën time për të parë gjërat. Erdha këtu për të dhënë 100%, por në momentin e parë që pata ndjesinë se kjo nuk ishte më e mundur, për të mirën e të gjithëve vendosa të bëj hap prapa.

Falënderoj Rocco Commisson dhe të gjithë familjen e tij të mrekullueshme, Joe Barone dhe Daniele Pradè, gjithmonë afër meje dhe ekipit, por mbi të gjitha falënderoj Firencen, të cilën e di se do të mund të më kuptojë.

Lexo edhe :   Seria A 18:45 / Juve - Napoli për prestigj , Interi has pengesën Sasuolo

Jam i vetëdijshëm që karriera ime si trajner mund të përfundojë këtu, por nuk jam penduar dhe nuk dua të kem asnjë pendim. Ndoshta kjo botë që unë kam qenë pjesë gjatë gjithë jetës sime nuk është më për mua dhe nuk e shoh më veten në të. Unë me siguri do të kem ndryshuar dhe bota po ecën më shpejt sesa mendoja. Kjo është arsyeja pse unë besoj se tani ka ardhur koha që të mos udhëtoj më me këtë shpejtësi dhe të ndalem për të gjetur veten “.