Tragjike në Greqi/ Banesa përfshihet nga flakët, 16-vjeçari shqiptar humb jetën

Një 16-vjeçar shqiptar ka gjetur vdekjen sot në Greqi, si pasojë e përfshirjes së banesës nga flakët. Sipas mediave në vendin fqinj, zjarri ra rreth orës 11:00, për arsye që janë ende të paqarta.

Në shtëpi ishin tre fëmijë të moshës 16, 13 dhe 6 vjeç, nëna e tyre ishte në Shqipëri, ndërsa babai në punë.

Për fëmijët ishte duke u kujdesur tezja e tyre, e cila nuk ndodhej në shtëpi në momentin që ra zjarri. Gruaja u njoftua në telefon nga mbesa e saj, 13 vjeçe. Pas kësaj ajo shkoi në vendin e ngjarjes dhe tentoi që të nxirrte fëmijët jashtë. Dy prej tyre arriti që t’i shpëtonte, por nuk pati të njëjtin fat 16-vjeçari, i cili kishte dhe probleme me lëvizjen.

Kur zjarrfikësit u futën në banesë që të shuanin flakët, gjetën trupin e pajetë të të miturit në një nga dhomat. Shkaqet e zjarrit që shkaktoi tragjedi në familjen e 16-vjeçarit shqiptar pritet të zbardhen nga hetimi paraprak i kryer nga Departamenti Hetimor i Shërbimit Zjarrfikës.