Dorëheqjet nga kandidimi në PS, Vorpsi bëhet “i treti”

Ish Prefekti i Tiranës, deputeti Sadi Vorpsi, u bë emri i tretë nga rradhët e socialistëve që njofton dorëheqjen nga kandidimi për zgjedhjet e 25 prillit. Vorpsi pason në këtë dorëheqje Vasilika Hysin dhe Besnik Barajn, që njoftuan largimin e tyre nga kandidimi.  E përbashkëta e tri emrave në njoftimet e tërheqjes është deklarata se “po tërhiqen për t’i lënë vendin të rinjve”.

Sipas analistëve politikë, as Hysi, as Baraj e as Vorpsi nuk janë më të vjetrit në këtë parti, e për më tepër, nuk janë emra që janë përmendur për afera korruptive. Të tri emrat janë njëkohësisht edhe debatues të një linje jo të ashpër me kundërshtarët politikë. Tërheqja e tyre bie edhe më shumë në sy pas ofertës që z. Rama mësohet t’ i ketë bërë Reme Lalës, që vinte nga rradhët e PDIU-së, apo emrave si Ylli Shehu e Halit Valteri, që zëvendësuan opozitën në parlament, duke u rreshtuar në votime me mazhorancën.

Burime pranë Partisë Socialiste bëjnë të ditur për “Tirana Today” se të tri emrat nuk ishin ftuar nga Rama për të qenë në zonën fituese, si dhe ishin shmangur nga grupet e punës. Gjithashtu, nuk ka pasur asnjë  komunikim në angazhimin e tyre në fushatë, edhe pse ata deklaruan se do të jenë pjesë e fushatës për të ndihmuar PS-në që të fitojë edhe një mandat tjetër qeverisës.

Tërheqja e Hysit, Bares e Vorpsit shihen nga analistët gjithashtu edhe si një strategji presioni e Ramës ndaj opozitës, e cila në listat e veta duket se i është rikthyer figurave në parti. Prezantimi me spektakël i Çomos dhe Bozdos dhe largimi me dorëheqje i disa prej emrave që kanë qenë pjesë e mazhorancës në 12 vitet e fundit, shihen si një përpjekje e Ramës për të paraqitur PS-në si një lëvizje me qytetarët dhe jo si një parti që mbështetet në strukturat e saj.

Lexo edhe :   Rama kujton 'fiksimin' për Mimi Kodhelin në pubertet:Bëja kosha poshtë pallatit

Këtë frikë zëvendësismesh me emrat që vijnë përgjithësisht nga bota e biznesit, si Duraku në Kukës e Fishta në Shkodër, kanë krijuar jo pak ankth brnda forumeve të PS-së, të cilët nuk janë thirrur ende për të vendosur se si do hartohen listat, edhe pse kanë mbetur vetëm dy ditë deri në publikimin e tyre zyrtar.