Eglantina Gjermeni nuk do të jetë në listën e kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste, për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se ish-ministrja ka kontribuar për 12 vite me dinjtet dhe profesionalizëm në PS.
“Mirënjohje gjithmonë në këtë Ditë të Gruas, dy bashkëpunëtoreve simbol të promovimit të legjislacionit mbi barazinë gjinore, të drejtat e grave, fëmijëve, minoriteteve dhe kundër dhunës ndaj gruas; dy aktivisteve shembullore të Shoqërisë Civile, që sollën në PS vlera e kontribute të reja dhe për 12 vjet rresht e përfaqësuan PS me dinjitet e profesionalizëm, në Kuvend e në Qeveri, Vasilika Hysi dhe Eglantina Gjermeni”, shkruan Rama.
Gjermeni, ka qenë deputete e Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 2009, teksa ka mbajtur edhe postin e Ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit në vitin 2013. Gjatë mandatit 2017-2021, Gjermeni ka përfaqësuar në Kuvend qarkun e Durrësit.
Eglantina Gjermeni është një tjetër largim i rëndësishëm nga PS, pas Vasilika Hysit, Besnik Baraj, Sadri Vorpsit dhe Alfred Pezës.