Trajneri i njohur, Faruk Sejdini, ka komentuar me nota të ashpra paraqitjen e Tiranës në derbin e djeshëm ndaj klubit të Partizanit.
I ftuar në emisionin “Ora Sport”, Sejdini shprehet se skuadra kryeqytetase ishte pa kokë dhe pa bisht në fushë. Sipas tij, në fushë nuk gjendej askush për të luajtur topin, e për të furnizuar sulmin.
“Këto ndeshje presionin e kanë të kahershëm. Ekipet kanë qenë historikisht rivale, në atë fazë që presioni ka qenë i pashmangshëm. Tirana, që ta thyejë këtë mitin e viteve të fundit, duket sikur pret që një herë do ndodhi. Si ato ekipet që fitoren e kanë koeficientin 1.1, por mund të fitojnë njëherë.
Tirana bëri shumë pak për të arritur fitoren, e për të thyer mitin 5-vjeçar. Pashë një Tiranë pa kokë, dhe pa bisht. Ishte një krijesë futbolli, që të vinte keq që ishte ashtu. Unë nuk dua të merrem me formacionin, për faktin se i besoj asaj se trajneri është i përditshëm me lojtarët. Mendoj se gjithmonë, fut, apo bën formacionin më të mirë të mundshëm, sipas tij. Por, sot pashë një Tiranë që më erdhi keq. U bë një përplasje, ku Tirana ishte, por nuk e luante dot topin. U mundua pak ai Batha. Torasa nuk u duk fare, që do lidhte mbrojtjen me sulmin. Tirana herë-herë bënte sulme të dështuara, disa herë nxirrte topa të gjatë nga mbrojtja në sulm.
Tirana ka një lojtar, si një torrë, Ngo, një i gjatë, që të luajë këtë futboll ai, nuk e mora vesh. Ose do e ndërtosh lojën për të, që të luajë torrë, dhe të prishë ekuilibrat, majtas-djathtas. Ky lloj futbollisti, shkelmonte topin portieri Lika, dhe ai ishte në mesin e fushës merrte topin me gjoks, por kush do ishte në sulm, atje përpara. Dua të them që të heqim dorë nga këta lloj lojtarësh, të marrim lojtarët e rinj. Sikur të ishte Halili në vendin e tij, apo ndonjë tjetër, do kishte precipitu sulmi shumë herë më mirë”, deklaroi Sejdini.