Një i ri është gjobitur nga ana e policisë, pasi ai ka thyer rregullin për tu vetë-karantinuar pasi kthehesh nga jashtë. Shtetasi me inicialet E. S., 29 vjeç, banues në Dibër, në datën 3 mars është kthyer nga Italia.
Ai është njoftuar nga specialisti i policisë së zonës për vetë-karantinim 14-ditor, për shkak se vinte nga një zonë e prekur nga virusi COVID-19, gjë të cilën nuk e ka respektuar.
Policia ka konstatuar se ky shtetas ka frekuentuar ambiente të jashtme në fshatin e tij. Në lidhje me thyerjen e rregullave, policia e ka ndëshkuar këtë shtetas me masën administrative në vlerën 700.000 lekë.
Njoftimi
Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet në banesat e personave të kthyer nga vendet e prekura nga COVID-19.
Thyen rregullin për vetëkarantinim, gjobitet nga Policia një 29-vjeçar.
Gjobitja me masë administrative në vlerën 700.000 lekë, për shtetasin E. S., 29 vjeç, banues në Dibër.
Ky shtetas, më datë 03.03.2020 është kthyer nga Italia dhe është njoftuar nga specialisti i Policisë së zonës për vetëkarantinim 14-ditor, për shkak se vinte nga një zonë e prekur nga virusi COVID-19, gjë të cilën nuk e ka respektuar.
Gjatë kontrolleve që ka bërë, Policia ka konstatuar se ky shtetas ka frekuentuar ambiente të jashtme në fshatin e tij.
Në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″, Policia e ka ndëshkuar këtë shtetas, me masën administrative në vlerën 700.000 lekë.
Policia apelon edhe njëherë për të gjithë ata shtetas që janë njoftuar për vetëkarantinim që të zbatojnë me rigorozitet këtë detyrim në të mirë të shëndetit të tyre dhe njerëzve të tjerë.
Shqipëria ndodhet në karantinë, pasi numri i personave të prekur me koronavirus ka shkuar në 51. Po kështu janë ashpërsuar masat për personat, të cilët nuk i binden urdhrave të policisë.
Një ditë më parë, Rama deklaroi se ndalohet lëvizja me këmbë pas orës 18:00 dhe paralajmëroi gjobë për ata që ulen në parqe. Qarkullimi i mjeteve lejohet vetëm në dy orare, paradite në orën 8:00 dhe pasdite nga ora 16:00 deri në 17:00, në mënyrë që punonjësit të shkojnë në punë.