Këtë mëngjes, presidenti ka postuar një video me një qen me emrin Darko. Bashkëngjitur videos në fjalë, kreu i Shtetit ka shkruar: “Mirëmëngjes të dashur miq nga Jahorina e Bosnjës! Unë e nisa mbarë ditën sot me Darkon. Uroj një ditë të mbarë edhe për ju!”.
Presidenti ka përcjellë një tjetër mesazh të koduar.
“Ju përshëndes me Darkon, mikun tim më të ri këtej, pas një shëtitje mjaft të këndshme. Përshendes Sashën macen time të dashur, pasi ngjajnë shumë dhe shpresoj të takohen së shpejti. Thonë që macet dhe qentë nuk shkojnë, por ky nuk është rasti”, ka thënë Meta, duke i dhënë mesazhit edhe ngjyrime politike.
Kreu i Shtetit ndodhet në Bosnje, teksa ka marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës (SEECP).
Më herët, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Pavarësisht diskutimeve për çeljen e negociatave për anëtarësim në tetor të të dyja vendeve aspiruese, Meta përmend edhe 30 qershorin, ditën e zgjedhjeve që presidenti e anuloi me dekret sot një muaj.