Thirrja e Metës: Të mos guxojë njeri të luajë me votën e popullit shqiptar

Presidenti i Republikës, Ilir Meta lëshoi një thirrje të fortë, duke thënë se askush nuk do guxojë për të prekur votat e qytetarëve shqiptarë më 25 prill.

I ftuar në emisionin ”Frontline” në ”News24”’, Meta theksoi se presidenti do i japë fuqi qytetarit, votës së tij, pasi populli është ai që zgjedh dhe heq nga faqja e dheut politikanët, që i kanë bërë dëm atdheut.

I pyetur për vizitat e tij në Vlorë dhe akuzat e kryeministrit Rama, Meta deklaroi se nuk ka frikë dhe se ishte në qytetin jugor bregdetar, sepse e kërkoi populli atje.

Ilir Meta: ”Unë votën e kam kundër oligarkisë. Unë votën e kam për të thënë se këtu sovran është populli shqiptar. Në emër të popullit shqiptar, do ua pres dorën. Mos guxojë njeri të luajë me votën e popullit shqiptar. Presidenti do jetë në krye të detyrës dhe populli do të votojë. Është moment historik për të ardhmen e Shqipërisë. Armiqtë e Shqipërisë janë armiqtë e qytetarëve. Garancia është populli shqiptar, me votën e tij. Presidenti do i japë fuqi votës së qytetarit”.