Presidenti Meta tha se për hapjen e listave mund të vendoset vetëm me referendum.
Gjatë fjalës së tij për mediat, Meta tha se ai nuk ka ndonjë kundërshtim, por për këtë gjë duhet të vendosë populli.
“Duan ta heqin, ja ku është presidenti le të vijnë, edhe populli këtu është, më thonë nga 2 marsi shpërndaje, shpërndaje (parlamentin). Ti thërrasin mendjes, se koalicionet i ka vendosur populli shqiptar. Duan ta bëjnë pa koalicione ta vendosin në referendum. Nga ana ime nuk ka asnjë pengesë, por le të vendosë populli. Sovraniteti i takon popullit”, tha ai.
Kreu i shtetit sqaroi se përse sipas tij ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve në këto momente janë të pavlefshme.
“Mandatet opozitare të zëvendësuara janë jo legjitime. Kuvendi nuk ka legjitimitetin e plotë për reformat kushtetuese. Iniciaitva në vetvete është antikushtetuese. Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave për gjendjen jashtëzakonshme nuk mund të ndryshohet kushtetuta. Asnjë rishikim nuk mund të merret kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme. Nisma është propozuar në Kuvend jo vetëm në kundër rregullores por e kanë paraqitur në datë 15 qershor 2020, pikërisht në këtë datë Shqipëria ishte në gjendjen e fatkeqësisë natyrore të shpallur nga vetë Kuvendi, që përfundonte në datë 23 qershor. Ndërmarrja e nismës së këtyre deputetëve së frymëzuar nga kryeministri bie ndesh dhe është e pavlefshme”.