Të gjithë ne përpiqemi gjithmonë për ta bërë jetën tonë më të mirë. Aristoteli, një nga filozofë më të famshëm të antikitetit, u përball me problemet e ekzistencës njerëzore. Ai studioi shumë fusha të dijes, duke përfshirë logjikën dhe matematikën, fizikën dhe metafizikën, biologjinë dhe botanikën, politikën, bujqësinë, mjekësinë dhe madje edhe vallëzimin dhe teatrin. Ai shkroi mbi 200 teza mbi tema të ndryshme, megjithëse vetëm 31 prej tyre kanë mbijetuar deri në ditët tona. Thëniet e tij përfshinë këshilla tejet ë vlefshme, që mund të na orientojnë drejt një jete më të mirë.
Aristoteli e mendonte lumturinë si një qëllim qendror të jetës njerëzore. Ai besonte se për të qenë vërtetë të lumtur, ne duhet të kemi ndër të tjera një mirëqenie fizike dhe mendore. Filozofi grek, nuk e shihte kërkimin e lumturisë si diçka egoiste apo lakmitare, por si një gjendje natyrore të njeriut, drejt së cilës duhet të synohet. Një nga mënyrat, që mundësonin këtë gjë sipas tij, ishte që ne të kërkojmë balancën në jetën tone, dhe të mos shkojmë në ekstreme:
“Lumturia është kuptimi dhe qëllimi i jetës:I gjithë qëllimi dhe fundi i ekzistencës njerëzore”.
“Lumturia jonë varet nga vetvetja”.
“Lumturia është shprehje e shpirtit tek veprimet e shqyrtuara”.
Aristoteli ka folur jo pak edhe për mençurinë. Megjithatë, ai mendonte se të dish disa gjëra nuk mjafton. Ne duhet ta përdorim këtë dije si një udhërrëfyes në veprimet dhe ndërveprimet tona në jetën e përditshme. Ai sugjeron që ne duhet ta kuptojmë veten plotësisht, ta kërkojmë mençurinë dhe pastaj të veprojmë në bazë të saj, pa marrë parasysh se çfarë mendojnë të tjerët. Nëse nuk e përdorim mençurinë që kemi përftuar, atëherë ajo nuk i shërben qëllimeve të dobishme:
“Njohja e vetvetes, është fillimi i të gjithë mençurisë”.
“Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës, nuk mund të quhet edukim”.
“Njerëzit tepër të zgjuar duhet të shqetësohen më shumë për të vërtetën, sesa për atë që mendojnë të tjerët”.
Ndërkohë, Aristoteli vëren se ekzistojnë 3 lloje miqësish:të dobishmet, ato që janë për kënaqësi dhe miqësitë e virtytshme. Një miqësi e dobishme, bazohet në dhënien e një ndihme të dobishme, siç mund të jetë biznesi. Një miqësi e kënaqësisë, bazohet tek kënaqësia që përjetohet kur ndodheni në shoqërinë e njëri-tjetrit, ose kur kryeni gjëra të pëlqyeshme me njëri-tjetrin.
Në një kohë që miqësia e virtytit nuk bazohet mbi atë që mund të merret apo jepet nga tjetri, por tek mirësia. Për Aristotelin, dy llojet e para të miqësisë janë më të ulëta pasi ato bazohen thjesht tek interesi. Miqësia e virtytit, është lloji më i lartë, pasi bazohet në vullnetin e mire, pa patur pritshmëritë e ndihmës apo kënaqësisë. Sipas Aristotelit, kjo formë garanton miqësitë më jetëgjata.
”Miqësia është një shpirt i vetëm që banon në dy trupa”.
“Pa miq, askush nuk do të zgjidhte të jetonte, ndonëse do të kishte të gjitha gjërat e tjera”.
Filozofia e Aristotelit, përmban shumë citate edhe për llojin më të mirë të shoqërisë. Ai besonte se kjo e fundit, duhet të organizohet në një mënyrë të tillë, që çdo person të mund të arrijë potencialin e tij të plotë. Aristoteli besonte se ata që kërkojnë pushtet për të mirën e tyre, nuk mund të ndërtojnë një shoqëri paqësore dhe produktive.
Ai qe kundër tiranisë në çdo lloj forme që shfaqej ajo. Ndërkohë ai e pa biznesin, dhe madje edhe luftën si nganjëherë të nevojshme, dhe mendonte se qëllimi i tyre përfundimtar duhet të jetë lehtësimi i argëtimit dhe paqja.
“Po, e vërteta është se ambicia e njerëzve dhe dëshira e tyre për të fituar para, janë ndër shkaqet më të shpeshta të akteve të qëllimshme të padrejtësisë”.
“Tanimë është e qartë se forma më e mire e qeverisjes, është ajo në të cilën çdo njeri, cilido qoftë ai, mund të arrijë më të mirën e vet dhe të jetojë i lumtur”.
“Nuk mjafton të fitohet një luftë; është më i rëndësishëm organizimi i paqes”.
Filozofi i madh, reflektoi shumë mbi atë që lipset për të patur një shoqëri të drejtë e të lumtur, dhe se si çdo person mund të krijojë një jetë kuptimplotë dhe të realizuar. Por ai gjithashtu e kuptonte, se të gjithë vuajnë nga vështirësitë dhe fatkeqësitë. Ai besonte se ne të gjithë mund të mësojmë nga përvojat tona të vështira.
“Pikërisht gjatë momenteve tona më të errëta, ne duhet të përqendrohemi për të parë dritën”.
“Vetëm ai që e ka kapërcyer frikën e tij, do të jetë vërtetë i lirë”.
“Tek të gjitha gjërat e natyrës, ka diçka të mrekullueshme”.
Shpesh mund të gjejmë një urtësi të madhe tek mendimet e atyre që kanë jetuar shumë para nesh. Mençuria e epokave, është në dispozicionin e të gjithëve, nëse përpiqemi të dëgjojmë dhe kuptojmë.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce