Aktualitet

Tërmeti u vodhi buzëqeshjen, ju mos i rrëmbeni fëmijërinë


               Publikuar në : 20:27 - 02/12/19 M S

Nga: Marsela Sinani

Nga sot kanë kaluar plot 7 ditë nga tërmeti që tronditi themelet. Këto ditë kanë qenë plot ankth, duke pritur nga çasti në çast për ndonjë lëkundje. E madje edhe duke vënë baste hera-herës se toka po lëkundet. Gjumi nuk është më i lehtë sa më parë. Sizmologët janë kthyer në burimin e vetëm të besueshëm, e ndërsa kronikat e zeza tashmë përmbushin atë pjesë të tablosë bardhë e zi.

Askush nuk diskuton për festime, për blerje ashtu sikundër ndodh çdo dhjetor. Dëshira e vetme është që lëkundjet të shuhen, e jeta të marrë plot ato ngjyrime. Hallet u shtuan, krismat e armës u zëvendësuan me tërmetin. Të mbërthyer nga etja për të nxjerrë sa më shpejt një lajm, imazhet e fëmijëve të trembur e që vajtojnë, janë në çdo rrjet social, në çdo kronikë lajmi.

Fëmijëria e tyre u vodh, e ndërsa nën rrënoja është ‘varrosur’ çdo kujtim i bukur i tyre. Prindërit e fëmijët u vunë në një provë të fuqishme, duke u rrëmbyer buzëqeshjen. Frika që na kapluar, e ka bërë edhe më të vështirë komunikimin.

Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shmangim frikën, për të mos mbetur peng i saj. Ata fëmijë të traumatizuar kanë nevojë për fëmijërinë e tyre. Frika është njerëzore, deri në kufirin kur situata është anormale.

Lini pas panikun për disa klikime, e solidarizohuni. Media e rrjetet sociale duhet të shërbejnë për të edukuar, e mbi të gjitha për të qetësuar qytetarët, të cilëve duket se u janë shuar shpresat pas tërmetit shkatërrimtar.

Konkurrenca e klikimeve nuk mund dhe nuk ka për të vjedhur kurrë fëmijërinë e paqtë të fëmijëve, të cilët ranë ‘viktimë’ e tërmetit në të gdhirë të 26 nëntorit.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT