Kryeministri Rama, në fjalën e marrë në Kuvend tha se është krenar për angazhimin e shtetit shqiptar, pas tërmetit tragjik që goditi Shqipërinë, e i mori jetën 51 personave.
Ai shprehu ndjenjën e krenarisë për ministrat, deputetët dhe kryetarët e bashkive, lidhur me mënyrën si e përballuan fatkeqësinë. Rama ndër të tjera vlerësoi edhe punën kolosale e të vazhdueshme të Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, duke iu gjendur pranë banorëve të rrënuar nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.
“Kërkoj ndjesë për bashkimin e dy temave në një fjalë, se s’mund të shmang prioritetin e prioriteve, adresimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit dhe i nevojës për rindërtimin.
Ndërkohë që patjetër më duhet të them dhe unë dy fjalë lidhur me ligjin kundër shpifjes. Nuk e di nëse dikush e kishte imagjinuar që qeveria shqiptare do kishte mundur të bënte atë që bëri në kushtet e një befasie të jashtëzakonshme. Ku mijëra e mijëra njerëz u gjenden në rrugë pa strehë.
Dëshiroj të shpreh ndjenjën e krenarisë për qeverinë që drejtoj dhe shumicën qeverisëse. Të angazhuar në vijën e parë në përballimin e pasojave tragjike të tërmetit.
Unë nuk e di nëse dikush e kishte imagjinuar se qeveria e Shqipërisë do të arrinte të bënte atë që bëri, kur mijëra e mijëra njerëz u gjendën në rrugë. 4 mijë e 132 persona të akomoduar në hotele. Janë shembur objektet që rrezikonin shembjen. Janë grumbulluar fonde të konsiderueshme, qoftë në e-albania, qoftë përmes organizatave të mirënjohura, “Rrënjët Shqiptare”, “Fundjavë Ndryshe”, etj. Si asnjëherë më parë të gjitha forcat janë bashkë, të gjithë aktorët e nevojshëm, nga ku ne të dalim shumë më të fortë, nga sa ishim para tërmetit, ku çdo i prekur përfiton një cilësi të re jete”.