Pasditen e sotme, kryeministri Rama ishte i pranishëm në përurimin e veprës “La Radura” të arkitektit italian Stefano Boerit, ndërsa thelbi i saj lidhet me projektimin e lagjeve të reja, për strehimin e banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Shefi i qeverisë garantoi qytetarët e prekur, se brenda vitit të ardhshëm do kenë shtëpinë e tyre. Sipas tij, ndërtimet e shtëpive në zonat e prekura do të bëhen me cilësi të lartë dhe sipas standardeve.
“Shembujt e ndryshëm që mund ti referohemi në situatat pas tërmeteve, janë shumë të ndryshëm. Ka raste kur tërmetet kanë shërbyer si katalizator të një ndryshimi të madh, dhe kanë sjellë një cilësi të re përmes rindërtimit dhe përmes rikonceptimit të shumë aspekteve të zhvillimit. Dhe ka raste kur kanë prodhuar situata realisht të rënda zvarritje.
Italia ka shumë eksperienca dhe ka edhe shembuj të shkëlqyer, por edhe shembuj dramatik të situatës së post tërmetit. Sot ka akoma jo pak njerëz që jetojnë në tranzicion, jetojnë në kabina në pritje që të kenë një shtëpi pas tërmetesh që kanë rënë edhe 20 vjet përpara. Në këtë pikë është e qartë që sfida jonë është ti përkasim shembujve pozitivë, dhe besoj që me sistemin, me reagimin e parë të emergjencës hyjmë tek shembujt e mirë”, tha Rama.
Ai premtoi që brenda vitit të ardhshëm, të gjithë të prekurit nga tërmeti do të jenë me shtëpi të re. “Brenda vitit të ardhshëm, po e them si afat fundor vitin, por më përpara sesa përfundimi i vit të ardhshëm, ne të jemi në gjendje që të gjithëve ti kemi ofruar mundësinë për të jetuar në një shtëpi më të mirë sesa ajo që kishin jetuar më parë”.