Deri në këto momente, të paktën 40 persona janë dërguar në Spitalin e Traumës. Pasi kanë pësuar lëndime nga dy tërmetet e fuqishme të rëna sot në Shqipëri. Ende nuk ka një bilanc zyrtar për numrin e personave të lënduar. Por, nga të dhënat paraprake raportohet se të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Më parë dy banorë të Ndroqit u dërguan në Spitalin e Durrësit si pasojë e plagëve të marra.
Tërmetet shkaktuan panik në qytetin e Durrësit, Tiranës, por edhe në qytetet e tjera të vendit. Deri tani nuk raportohet për jetë të humbura. Sipas raportimeve të para dëmtimet janë shkaktuar në kokë, në krahë e gjymtyrë të tjerë. Kryesisht nga paniku pas rënies së parë, e cila ishte edhe më e fuqishmja
Ndryshe paraqitet situata në disa pallate të kryeqytetit. Disa persona janë bllokuar në ashensorët e pallateve dhe zjarrfikësit po luftojnë për t’i shpëtuar. Brenda 15 minutave u regjistruan 2 tërmete të fuqishme në Shqipëri. Intensiteti i tërmetit të parë ishte 7.5 ballë, shkalla Rihter 5.8. Dhe epiqendra ishte në Kepin e Rodonit, 1 km larg Durrësit dhe me thellësi 30 km. Valët e tërmeteve janë ndjerë dhe Kosovë, Greqi dhe Itali.