Turqia nuk ka të ndalur me presionet. Mesazhi i radhës vjen ndaj Kosovës, duke i kërkuar që të tërhiqet nga hapja e ambasadës në Jerusalem. Reagimi është përcjellë nga ana e Ministrisë së Jashtme të Turqisë, lidhur me lajmet se Kosova do të hapë ambasadë në Kuds (Jerusalem). Sipas Turqisë, një hap i tillë do të dëmtojë statusin historik dhe ligjor të Kudsit, dhe se mund të jetë pengesë për njohjen e Kosovës nga shtete të tjera.
“Nga postimet në median sociale të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministres së Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla, kuptohet se krahas njohjes së ndërsjelltë mes Kosovës dhe Izraelit, Kosova ka premtuar edhe hapjen e ambasadës në Kuds. Krijon zhgënjim, madje edhe mendimi i një hapi të tillë nga zyrtarët kosovarë, i cili do të përbëjë një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë.
Në deklaratë tërhiqet vëmendja se Turqia ndodhet në mesin e vendeve të para që ka njohur Kosovën, dhe se prej kohësh ka treguar përpjekje për njohjen e këtij vendi në arenën ndërkombëtare. “Nuk e shohim të drejtë ndërtimin e këtij procesi mbi ligjin ndërkombëtar dhe vaçanërisht ndërtimin mbi dhimbjet e popullit të Palestinës, territoret e të cilit ndodhen nën okupim. Çështja e Palestinës, ashtu sikurse për shumë herë është theksuar edhe në rezolutat e ndryshme të OKB-së, mund të zgjidhet vetëm se me mishërimin e një shteti të pavarur, sovran dhe të vazhdueshëm gjeografikisht me kryeqytet Kudsin lindor në bazë të kufijve të vitit 1967”, theksohet në deklaratë.
“Udhëheqjes së Kosovës i bëjmë thirrje që t’i përmbahen vendimeve në fjalë dhe të distancohen nga hapa të këtij lloji që mund të dëmtojnë statusin historik dhe ligjor të Kudsit, dhe të cilët mund të jenë pengues në të ardhmen për njohjen e Kosovës nga shtete të tjera”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë.
Sakaq, Turqia ka marrëdhënie të tensionuara edhe me Greqinë. Presidenti Erdogan dëshiron të kërkojë në Egje gaz natyror duke përdorur madje dhe armët. Një konflikt i armatosur midis Turqisë dhe Greqisë arriti të shmangej vetëm përmes ndërmjetësimit të kancelares Angela Merkel. Më herët, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se Athina ishte e interesuar të dialogonte mbi çështjen me Turqinë, por jo në klimën e tensioneve dhe provokimeve, dhe mbi bazën e ligjit ndërkombëtar.