Teoria: Alienët nuk ngjajnë me ne, mund të duken si kafshët këtu në Tokë

Qeniet e huaja që jetojnë në një botë të largët përreth një ylli, do të dukeshin “ashtu si kafshët në Tokë”,  dhe do të formoheshin nga të njëjtat procese, pretendon astrobiologu Arik Kershenbaum, autor i një libri të ri të titulluar “Udhëzuesi i Zoologut për Galaktikën”.

Sipas tij përzgjedhja natyrore darviniane, do të zbatohej në të gjithë Universin. Këto janë proceset që rregullojnë formimin e jetës në Tokë, dhe kësisoj do të krijonin krijesa që janë shumë të ngjashme me ato që ne shohim në botën tonë, thotë ai.

Zoologu dhe astrobiologu nga Universiteti i Kembrixhit,thekson se kjo gjë do të sjellë krijesa aliene që kanë trupa simetrikë me krahë, këmbë ose bisht. Gjithashtu do të kishin një inteligjencë të spikatur, një gjuhë të zhvilluar dhe ndoshta edhe teknologji.

Libri i botuar nga shtëpia botuese“Viking-Penguin”, eksploron atë që kafshët në Tokë mund të zbulojnë për alienët dhe ne.Kershenbaum analizon në detaje krijesat që popullojnë sot Tokën, eksploron teorinë evolucionare dhe bën parashikime mbi krijesat që jetojnë në vite dritë larg botës tonë.

Ai nuk merret me spekulime mbi formën e tyre specifike, pra si mund të duken ata në të vërtetë. Por merret më shumë me mënyrën se si mund të formohen dhe si mund të veprojnë.

Ai bazohet pjesërisht mbi punën e Riçard Doukins, duke eksploruar konceptin e “Darvinizmit Universal”.

Atëherë, çfarë mund të presim nëse do të vinin të na vizitonin alienët? Sipas Kershenbaum do të bëhej fjalë për specie të ngjashme me jetën siç e njohim ne në Tokë. Ai thotë se “ligjet universale të biologjisë”, që rregullojnë të gjithë jetën në planetin tonë, ka të ngjarë të zbatohen për alienët, me këto specie që evoluojnë për shkak të përzgjedhjes natyrore.

Ai pohon se kjo teori do të zbatohej pavarësisht përbërjes kimike të krijesave, faktit se në cilat mjedise jetojnë ato, llojin e yllit apo orbitën e planetit të tyre. Teoria e zgjedhjes natyrore e Çarls Darvinit thotë se mbijetesa dhe riprodhimi i individëve bazohet në aftësinë e tyre për t’u shumuar me sukses.

Ai e kufizon gradualisht menynë e mundësive evolucionare të bazuara tek krijesa që dalin nga bashkime të ndryshme për mijëra e miliona vjet. Kershenbaum thotë se kjo do të vlente edhe për speciet e huaja në një botë të largët.

Për të, ndërsa alienët mund të mos duken “saktësisht” si krijesa që i njohim në Tokë, dhe madje mund të thithin jo oksigjen por një gaz tjetër – ato prapë do të evoluojnë bazuar në disa veti kufizuese që i përshtaten më mirë mjedisit të tyre.

Në një artikull të publikuar në“BBC Science Focus” në vitin 2020, astrobiologu, theksonte ndër të tjera se “rregulli më i rëndësishëm është që jeta lind nga përzgjedhja natyrore, dhe ajo përshtatet me mjedisin e saj. Sipas tij alienët kompleksë, do te kenë evoluar nga alienët e thjeshtë, për të zgjidhur problemet që kanë ekzistuar në planetin e tyre, si gjetja e ushqimit apo riprodhimi”.

Ai sugjeron se me shumë gjasa krijesat aliene, do të ndjekin disa modele të njohura. Për shembull ato do të jenë simetrike dypalëshe, pra pjesa e majtë e tyre pasqyron anën e tyre të djathtë. Do të ketë specie grabitqare dhe ato që janë pre, të cilat do të kenë kamuflazhe dhe mjete mbrojtëse të ngjashme me krijesat në Tokë.

Ato do të jenë sociale, por dhe individualiste, dhe do të jenë të pajisura me një sërë lëvizjesh të dizajnuara për të shmangur grabitqarin që synon t’i asgjësojë. Një shembull që jep Kershenbaum vjen nga vëzhgimet e peshqve që jetojnë në fund të detit në Tokë, të cilët përdorin impulse elektrike për të treguar statusin e tyre shoqëror.

Astrobiologu thotë se një specie dominuese në një botë të largët, mund të ketë evoluar për ta përdorur energjinë elektrike për një komunikim më të hollësishëm dhe më të përparuar.

Gjithashtu, ka të ngjarë të kenë gjymtyrë të njohura për të lëvizur – si këmbët, pendët, krahët dhe madje edhe si ato të avionëve për t’i ndihmuar ata të përshtaten në disa atmosfera të ndryshme.

“Krijesat ka të ngjarë të jenë inteligjente, me speciet më dominuese që zhvillojnë teknologjinë, gjuhën dhe mënyrat për të komunikuar. Të gjithë duam të besojmë tek alienët si qenie inteligjentë”- shpjegoi Kershenbaum, duke shtuar se “duket e pashmangshme dhe se ata në fakte ekzistojnë”.

Ai pohon se në botët e largëta ekzistojnë me siguri sisteme të shumëfishta me organizma shoqërorë dhe inteligjentë, të cilat kanë “aftësinë e gjuhës” dhe teknologjinë komplekse.“Është e vështirë të jetë i mundur ndonjë rezultat tjetër”- mendon Kershenbaum.

Në fakt, astrobiologu beson se mund të jetë e mundur që ne mund t’i takojmë ata, pasi ata “të ndërtojnë anije kozmike dhe të eksplorojnë universin” – diçka që mund ta arrijë gjithashtu edhe njerëzimi këtu në Tokë.

Sidoqoftë, ai paralajmëron se e gjithë kjo mund të jetë e kotë, pasi mund të ndodhë vetëm “nëse ata arrijnë të shmangin shkatërrimin e tyre”.Kershenbaum nuk beson se ne do t’i takojmë këto krijesa së shpejti – pasi distanca e madhe midis sistemeve yjore – është aq e largët “sa mund të mos merret parasysh si e tillë”.

Burimi i lajmit: https://www.dailymail.co.uk/sciencetech/article-9372167/Aliens-planets-look-just-like-animals-Earth.html

Përshtatur nga TIRANA TODAY