E premte, 28 Janar, 2022
9.5 C
Tirana

Tensionet në Kazakistan/Presidenti: Trazirat ishin përpjekje për grusht shteti

Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, e ka përshkruar dhunën vdekjeprurëse javën e kaluar si një tentativë për grusht shteti. Ai u tha udhëheqësve të një aleance ushtarake të shteteve ish-sovjetike, se aksioni ishte koordinuar nga një “qendër e vetme”, por nuk i përmendi ata që ishin përgjegjës.

Presidenti Putin tha se Kazakistani ishte shënjestruar nga terrorizmi ndërkombëtar, por nuk dha asnjë provë për këtë pretendim. Ai shtoi se Rusia nuk do të lejonte kurrë revolucione në rajon.

Trupat nga Rusia dhe vende të tjera janë aktualisht në Kazakistan, për të rivendosur rendin. Demonstratat, të shkaktuara nga rritja e çmimeve të karburantit, u kthyen në trazirat më të këqija që ka parë vendi në 30 vitet e tij të pavarësisë. Dhjetra njerëz raportohet të kenë vdekur, duke përfshirë 16 anëtarë të forcave të sigurisë.

Protestat nisën më 2 janar, dhe u rritën për të pasqyruar pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe ish-presidentit Nursultan Nazarbayev, i cili udhëhoqi Kazakistanin për tre dekada, dhe ende mendohet se ka ndikim të rëndësishëm.

Korrespondentët thonë se dhuna e fundit mund të lidhet me një luftë për pushtet brenda elitës qeverisëse. Një javë pas shpërthimit të dhunës, autoritetet thonë se situata tani është stabilizuar, me trupat që vazhdojnë operacionet e “pastrimit” dhe ruajtjen e objekteve strategjike.

Një gjendje e jashtëzakonshme dhe një shtetrrethim mbarëkombëtar mbeten në fuqi. Pothuajse 8.000 njerëz janë arrestuar në të gjithë vendin, tha të hënën Ministria e Brendshme.

Bisedimet e sigurisë midis liderëve të aleancës ushtarake të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) të udhëhequr nga Rusia, erdhën pasi Kazakistani filloi një ditë zyrtare zie për të përkujtuar të vrarët në trazira.

“Militantët e armatosur që prisnin në krahë, iu bashkuan protestave. Qëllimi kryesor ishte i qartë: cenimi i rendit kushtetues, shkatërrimi i institucioneve qeveritare dhe marrja e pushtetit. Ishte një tentativë për grusht shteti”, tha z. Tokayev.

Ai tha se protestuesit kishin shënjestruar qytetin më të madh të Kazakistanit, Almaty, me synimin për të kapur rajonet jugore të vendit dhe kryeqytetin, Nur-Sulltan. Një gjueti për “terroristët” po vazhdonte, dhe Kazakistani së shpejti do të jepte prova të asaj që kishte ndodhur me komunitetin ndërkombëtar, shtoi ai.

Putin u shpreh se besonte se disa të përfshirë në dhunën e ditëve të fundit ishin trajnuar në vende të huaja, pa dhënë dëshmi.

“U përdorën grupe militantësh të organizuar mirë dhe të menaxhuar në mënyrë të qartë, për të cilat Presidenti Tokayev sapo foli, duke përfshirë ata që padyshim iu nënshtruan trajnimeve në kampet terroriste jashtë vendit”, u tha Putin udhëheqësve të tjerë në video-konferencë.

“Ngjarjet në Kazakistan nuk janë përpjekja e parë dhe as e fundit për të ndërhyrë në punët tona të brendshme nga jashtë. Masat e marra nga CSTO tregojnë se ne nuk do të lejojmë një situatë të destabilizuar në rajon, dhe nuk do t’i lëmë të kryejnë të ashtuquajturat revolucione me ngjyra”.

Javën e kaluar, Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken, vuri në pikëpyetje vendimin e Kazakistanit për të kërkuar ndihmë ushtarake ruse, pasi i pari nga rreth 2030 trupat e udhëhequr nga Rusia mbërriti në vend. Zyrtarët në Moskë dhanë garanci, se prania e tyre ishte e përkohshme. Blinken u kërkoi autoriteteve kazake, që të respektojnë të drejtat e protestuesve duke ruajtur rendin dhe ligjin.

Rusia ka akuzuar prej kohësh Perëndimin, për inkurajimin e kryengritjeve në oborrin e saj të pasmë – të ashtuquajturat “revolucione me ngjyra” – që kanë rrëzuar qeveritë në ish-shtetet sovjetike si Ukraina, Gjeorgjia, Kirgistani dhe Armenia.

Ngjarjet në Kazakistan vijnë në një kohë kur tensionet janë të larta, mbi dhjetëra mijëra trupa ruse të grumbulluara në kufirin me Ukrainën, duke shkaktuar frikën e një pushtimi.

Burimi i lajmit: BBC. Pershtatur nga Tirana Today 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Fakte të panjohura mbi shkencëtarët më të famshëm të të gjitha kohërave

Ju ndoshta mund t’i njihni emrat e këtyre figurave historike të shkencës, si dhe zbulimet e tyre më të famshme. Por ndoshta mund të...

Pas acarit, rikthehen reshjet e shiut. Si do të jetë moti për këtë fundjavë

Reshjet e shiut pritet të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit të ditës së shtunë, në pjesën më të madhe të...

Shp*rthimi në banesën e Dukës, 34-vjeçari i arrestuar me shenja dj*gie në dorë

34-vjeçari i arrestuar për vendosjen e tritolit në banesën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, rezulton me shenja djegie në dorë....

Pa të dashurën me shokun e tij, detaje nga sherri me th*ka në Berat

Detaje të reja janë hedhur në dritë sa i takon sherrit me thika në Berat, ku dy persona përfunduan me plagë të shumta në...

Faza e fundit e konfliktit dhe fati i “Foltores”

Nga: Ergys Mërtiri Pas muajsh tensione që degjeneruan deri në konfrontim fizik, përplasja Basha-Berisha po fillon të zbehet, ndërsa revolucioni i organizuar nga foltorja shkon...