Mediat serbe raportojnë se shefja për Politika të Jashtme e BE-së Frederica Mogherini do të fluturojë sot drejt Beogradit për ta takuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Agjencia e lajmeve serbe Tanjug, në bazë të burimeve të veta në Bruksel, ka raportuar se Mogherini do të takohet me Vuçiç rreth orës 18:00.
Ky takim vjen pas tensionimit mes Kosovës dhe Serbisë, pas arrestimit të drejtorit të zyrës serbe për Kosovën Marko Gjuriç, i cili hyri ilegalisht në Kosovë, përkundër se ishte paralajmëruar nga autoritetet kosovare.
Gjuriç, dje u arrestua në Mitrovicë gjatë një aksioni të njësiteve elitë të Policisë së Kosovës.
Më pas ai u soll në stacionin qendror të Policisë në Prishtinë, dhe pak orë më vonë iu dorëzua autoriteteve serbe në kufi me Serbinë, në Morinë.