Tension në Uashington/ Mbështetësit e Trumpit futen brenda Kongresit (Video)

Kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uashingtoni është përfshirë nga protestat që kundërshtojnë certifikimin e kandidatit demokrat, Joe Biden si President i zgjedhur nga zgjedhjet e 3 nëntorit 2020.

Pjesëmarrës të shumtë, të cilët mbështesin Presidentin në detyrë, Donald Trump, kanë marshuar brenda ndërtesës së Kongresit, ku po zhvillohet procesi për vërtetimin e të Kolegjit Zgjedhor mbi zgjedhjet presidenciale.

Sipas mediave të huaja, për disa çaste puna është ndërprerë dhe dyert e këtij institucioni janë mbyllur për të mos lejuar futjen e personave brenda saj. Situata paraqitet e tensionuar.

“Për shkak të një kërcënimi të brendshëm në ndërtesë, strehohuni në zyrën më të afërt dhe qëndroni të qetë”, njoftoi policia e kryeqytetit amerikan, Uashington.

Policia e Capitol Hill po bllokon gjithashtu këdo që të lëvizë nga ndërtesat e zyrës së Senatit në ndërtesën e Kapitolit të SHBA.

Protestuesit çajnë kordonin policor
                                             Protestuesit çajnë kordonin policor

Ndërkohë, Donald Trump vijoi me deklaratat e tij se zgjedhjet presidenciale ishin të manipuluara.

Përpara një turme mbështetësish në Washington, ai tha se nuk do ta pranojë kurrë humbjen në zgjedhjet presidenciale ndaj demokratit, Joe Biden.

“Ne kurrë nuk do të dorëzohemi, nuk do të pranojmë kurrë. Ne do të ndalojmë vjedhjen.”– tha Trump.

Donald Trump gjatë fjalimit para mbështetësve të tij
                          Donald Trump gjatë fjalimit para mbështetësve të tij

Kongresi është mbledhur për të numëruar votat e Kolegjit Elektoral të dy partive në SHBA që morën pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit ku Biden doli fitues me 306 vota, ndërsa Trump arriti të mblidhte vetëm 232 vota të Kolegjit Elektoral.