Prej ditës së enjte, Shqipëria është përfshirë nga reshjet masive duke sjellë përmbytje veçanërisht në jug të vendit. Qindra familje kanë braktisur banesat duke u strehuar në shkolla apo ambiente sportive. Njëkohësisht me reshjet, temperaturat e ulëta kanë mbërthyer Shqipërinë, ndërsa në alarm janë dhjetëra çerdhe, kopshte, shkolla, konvikte, spitale, etj., për ngrohje. Disa bashki apo spitale, kanë vonuar procedurat për blerjen e sobave dhe druve.
Por në këtë kohë dimri të ashpër, i vetmi që do të shpëtojë nga i ftohti është kryeministri Rama. Ai ka menduar të ngrohë veten e tij, duke ndërruar të gjithë sistemin e kondicionimit në Kryeministri.
Tpz.al ka siguruar dokumentet e një tenderi që ka hapur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me objekt “vendosje e sistemit me eficencë, të lartë të ngrohjes/ftohjes dhe ventilimit në disa mjedise të rëndësisë së veçantë brenda ndërtesës së Kryeministrisë”. Fondi limit për këtë tender është
52 820 000 lekë me TVSH ndërsa mësohet se kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 3 muaj nga lidhja e kontratës.
Ndërkohë, në dokumente thuhet se, si rezultat i një studimi, analize dhe kontrolli disa ditor mbi gjendjen aktuale të sistemit ekzistues të ajrit të kondicionuar në objektin e ndërtesës së Këshillit të Ministrave u konstatua se i mungon totalisht sistemi i ventilimit që do të krijonte premisa për largimin e ajrit të ndotur dhe futjen e ajrit të freskët.
Në dokumente nënvizohet se njësitë e brendshme nuk janë zgjedhur konform destinacionit si dhe ngarkesës termike të nevojshme për çdo hapësirë të okupuar. Madje, në këto dokumente thuhet se “një vend pune që të ofron një komfort termik në dy stinët më problematike dimër dhe verë, sjell një suport maksimal në punë, ajër të pastër më me pak bakterie, ajër ku mund të vendosen aroma të ndryshme dhe mbi të gjitha një sistem qendror të rregullueshëm”.
Më herët, Tpz.al raportoi se Ministria e Energjisë dhe Transportit, që drejtohet nga Damian Gjiknuri, akordoi plot 130 milionë lekë të vjetra për të rregulluar sistemin e kondicionimit. Por ndërkohë dhjetëra fëmijë u asfiksuan para pak javësh në fshatin Shupenzë të Bulqizës, si pasojë e gabimit të sistemit të ngrohjes në shkollë. Vetëm 1/10 e fondit e kondicionerëve të Kryeministrisë duhen për të ngrohur këtë shkollë në Shupenzë, për të shmangur të ftohtin dhe tragjeditë.
Kjo është qeveria, që në radhë të parë kujdeset për vetën, për klientët e saj dhe po teproi ndonjë kacidhe, mendon edhe për popullin.