Temperatura -111 gradë Celcius, si u formua stuhia më e ftohtë në histori?

Temperatura më e ulët e regjistruar ndonjëherë në Tokë, është një rekord që i përket Rusisë. Në dimrin e vitit 1983, instrumentet në stacionin meteorologjik sovjetik të Vostok, Antarktidë, shënuan shkallën -89 gradë Celcius, temperaturën më të ulët të matur ndonjëherë mbi sipërfaqen e tokës.

Por, ndryshon puna nëse e konsiderojmë edhe atmosferën si “Tokë”. Atje, sidomos gjatë disa fenomeneve ekstreme atmosferike, temperaturat mund të jenë edhe më të ulëta.

Acari për rekord

Temperatura më ekstreme nga të gjitha, të paktën për tani, është një zbulim i kohëve të fundit. Në 2018, mbi Oqeanin Paqësor u formua një stuhi shumë e fortë, në të cilën brenda reve u regjistrua një temperaturë prej -111 gradë Celcius, ose rreth 30 gradë më e ulët sesa mesatarja e këtyre dukurive.

Kjo u raportua në një studim të botuar në “Geophysical Research Letters”, që shpjegon se si kjo matje përbën vërtet një rekord, por është ndërkohë edhe një shenjë shqetësuese për të ardhmen. Pasi ngjarje të tilla janë jashtëzakonisht shkatërruese, dhe mund të bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

U deshën plot 3 vite për ta interpretuar dhe studiuar temperaturën e kësaj stuhie që u formua mbi Paqësor. Matja daton më 29 dhjetor 2018 nga sateliti amerikan NOAA-20, që po fluturonte mbi atë zonë (rreth 400 km në jug të ishullit Nauru), dhe që e regjistroi fenomenin atmosferik përmes kamerave me rreze infra të kuqe.

Zakonisht, kur formohet një stuhi, masa e reve ngrihet lart si një kolonë, dhe kur arrin kufirin e troposferës (shtresa më e ulët e atmosferës), ajo “përplaset” dhe zgjerohet horizontalisht, duke i dhënë dukurisë formën klasike të një kudhre.

Çfarë është dukuria “maja e tejkalimit”

Sidoqoftë, nëse stuhia është veçanërisht shumë e fuqishme, mund të ndodhë që një pjesë e reve ta ”çajë” këtë tavan dhe të formojnë një lloj kupole, që duhet quajtur “maja e tejkalimit”. Ndonjëherë kjo strukturë ekziston për disa minuta para se të rrafshohet përsëri, por në rastin e stuhive veçanërisht të dhunshme mund të zgjasë edhe më gjatë.

Sa më e lartë maja, aq më shumë bie temperatura e reve që e përbëjnë atë. Për çdo km lartësi, temperatura bie me rreth 7 gradë Celcius, dhe “majat e tejkalimit” regjistrojnë zakonisht vlera rreth -80 gradë Celcius. Nga ana tjetër, temperatura brenda stuhisë së dhjetorit 2018, ra në nivele që nuk ishin parë kurrë më parë.

Maja, e pozicionuar mbi 20 km mbi nivelin e detit, regjistroi temperaturën -111 gradë Celcius, ose 30 gradë nën mesataren. Sipas autorit kryesor të studimit Simon Praud, kjo është një vlerë që vë shumë në presion ndjeshmërinë e sensorëve që përdoren tek satelitë, një rekord i vërtetë që megjithatë rrezikon të bëhet një normalitet. Numri i ngjarjet ekstreme të regjistruara gjatë 3 viteve të fundit, është i barabartë me atë të 13 viteve të mëparshme.

Rastësi apo efekt i ngrohjes globale?

Pra janë në rritje shtrëngatat e karakterizuara nga re veçanërisht të ftohta. Dhe ato sipas Praud janë edhe më të rrezikshme, pasi sjellin reshje të mëdha breshri, erëra të forta dhe stuhi rrufesh. Në këto kushte, pyetja që duhet shtruar është:

A ishte stuhia e dhjetorit 2018 një ngjarje e rastësishme, një “stuhi e përsosur” e shkaktuar nga një përkim i kushteve të veçanta, apo u shkaktua (ose të paktën u lehtësua) nga ndryshimi i klimës? Nuk ka nevojë të thuhet, që nëse përgjigjja do të ishte kjo e fundit, do të duhet të shqetësohemi shumë seriozisht.

Burimi i lajmit: https://www.focus.it/ambiente/natura/temporale-piu-freddo-della-storia

Përshtatur nga TIRANA TODAY