Teatri nuk ishte çështje e opinioneve, por çështje e drejtësisë

Nga: Ervis Iljazaj

Për gjatë dy viteve që diskutohej çështja e Teatrit Kombëtar, kishte opinione të ndryshme për vlerën e tij të trashëgimisë kulturore. Kishte nga ata që e konsideronin pa asnjë vlerë dhe që duhej shembur, por dhe nga ata që e mbrojtën me argumente shkencor dhe historik se ajo godinë kishte vlera të pamohueshme kulturore. Kishte dhe nga ata pastaj, si Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, që pavarësisht mendimit që ka gjithsecili për ish godinën tashmë të Teatrit, duhen përgëzuar për mënyrën se si këtë kauzë e kthyen në një kauzë civile, duke e mbrojtur me një mënyrë të paprecendentë të betejave të pakta civile që janë bërë gjatë tranzicionit shqiptar.

Po ashtu, debatet mbi trashëgiminë kulturore të Teatrit u shoqëruan mbi debatet rreth korrupsionit të mundshëm mbi atë godinë. Dy çështje në fakt që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën, por që u bënë bashkë duke bërë kështu që shumë personazhe publik të ngatërronin rolet. Aktorë të cilët flisnin për mirëqeverisjen dhe harronin debatin kulturor, dhe njerëz publik apo gazetar që nuk flisnin për mirëqeverisjen dhe abuzimin me pushtetin, por merreshin me vlerat kulturore.

Megjithatë, të gjitha këto mund të konsiderohen opinione, të pranueshme ose jo, të diskutueshme apo jo, ashtu sikurse është normale për cëthtjet e trashëgimisë dhe qeverisjes. Mirëpo, nëse ka një fushë ku opinionet nuk kanë asnjë vlerë, ajo është drejtësia. Dhe Teatri Kombëtar, tashmë ishte kthyer në një çështje të drejtësisë dhe jo të opinioneve.

Drejtësia është e ftohtë, neutrale, dhe nuk pyet as për opinione dhe as për shije personale. Çdo vullnet, çdo opinion, çdo shije kulturore apo çfarëdo qoftë, ka vlerë vetëm nëse shprehet brenda shtetit ligjor dhe hapësirës që të lejon Kushtetuta dhe shteti i së drejtës, qoftë ky vullneti i një kryeministri apo një kryebashkiaku.

Në këtë kuptim, për shembjen ose jo të teatrit duhej pritur fjala e drejtësisë. Vendimi për kalimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës, apo vendimi për shëmbjen e tij kishte shkuar në Gjykatë Kushtetutese dhe ishte paditur zyrtarisht nga shumë drejtime. Dhe çdo akt ligjor apo akt nënligjor që shkon në Gjykatë Kushtetutese duhet pezulluar në pritje të vendimit për të.

Nga e gjithë kjo histori, ajo që është më shumë shqetësuese, më shumë se sa debati për trashgiminë kulturore të Teatrit, është pikërisht vullneti i një shumice që nuk njeh kufijtë ligjor të veprimit të saj dhe kufizimet që ka ajo nga një shtet i së drejtës.

Fjalia e kryeministrit në një emision ku u shprehë se “ne jemi shumica dhe ne vendosim”, është ndoshta, fjalia më e rrezikshme që mund të ekzistojë për një demokraci. Natyrisht që shumica ka të drejtë të vendosë në një demokraci, sepse pikërisht për atë është votuar, për të qeverisur, por vendimarrja e saj është e kufizuar brenda hapësirës që lejon shteti ligjor dhe shteti  i së drejtës.

E gjithë historia politike e vendeve demoraktike, ka qenë pikërisht përpjekja për të ndërtuar një demokraci kushtetuese, e cila nënkupton ndarjen e pushteteve dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nga pushteti i mazhorancës për të evituar që ajo të  kthehet në një tirani.

Rasti i Teatrit, ishte rasti që vulosi përfundimisht mungesën e drejtësisë në Shqipëri, e cila mungon tashmë prej katër vitesh.

Ngutja për të shembur Teatrin Kombëtar, në një kohë kur drejtësia nuk kishte thënë fjalën e saj, në një kohë kur vendi gjendet në një krizë ekonomike dhe ka prioritete të tjera, është absolutisht vendosja përfundimisht e shijeve mbi ligjin, e vullnetit personal mbi institucionet, e opinioneve mbi neutralitetin e drejtësisë. Kam përshtypjen se politika shqiptare e ka kuptuar gabim demokracinë. Demokracia është mazhoritare, ndërsa konstitucionalizmi është minoritar. Ai ka lindur pikërisht për të mbrojtur minorancën, parimet dhe të drejtat nga vullneti arbitrar i mazhorancës./Gazeta Liberale