“Të shoh nga shënjestra e snajperit”, Vuçiç kërcënohet me jetë

Një kërcënim i ardhur në rrjetin social ndaj Vuçiç, ka vënë menjëherë në lëvizje inteligjencën serbe, duke prangosur një 30-vjeçar. I riu, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, është prangosur nga pjesëtarët e Agjencisë serbe të Informacionit dhe Sigurisë (BIA), në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Teknologjisë së Lartë dhe Ministrinë e Brendshme të Serbisë. Kjo lëvizje ka ardhur pas një dyshimi të bazuar se kërcënoi në Facebook presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

I dyshuari akuzohet për përdorimin e rrjetit social Facebook, ndër të tjera, për të njoftuar dhe thirrur drejtpërdrejt për vrasjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai shprehej se vazhdimisht po shikonte Vuçiçin nëpërmjet nishanit të snajperit. Mbi fotografinë të cilën e postoi, shihet Vuçiçi, presidenti malazes Milo Gjukanoviç dhe anëtari i presidencës së BeH Milorad Dodik. “Këta të dy u larguan, ndërsa ty Aleksandar Vuçiç do të eliminojë snajperi. E di edhe vetë, ajo pikë e kuqe e cila po të përcjellë në dhomën e fjetjes kur e ndal dritën”.

“Vuçiç, unë vetëm të shikoj, e ti nuk e di se ku jam. Ti mua nuk më sheh, por unë të shoh nëpërmjet nishanit optik të snajperit”, ka shkruar në mesazhin kërcënues.