Deputeti i opozitës Myslim Murrizi, ka bërë një deklaratë të fortë nga foltorja e Kuvendit. Ai është shprehur se të premten, Partia Socialiste ka vendosur të shkarkojë ministrin Sandër Lleshaj, për ta bërë deputet.
“Do të doja të uroja për zgjedhjet para zgjedhjeve, deputetin e ri të Partisë Socialiste Sandër Lleshaj. Keni planifikuar ta shkarkoni të premten Sandër Lleshajn, dhe të na e bëni deputet”, tha Murrizi.
Kjo lëvizje është përfolur shpesh gjatë muajve të fundit. Kujtojmë këtu se në muajin maj, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka folur për largimin nga posti i Ministrit të Brendshëm. Ai tha se nuk ndihet i lidhur, dhe e ka menduar edhe largimin.
Pjesë nga intervista:
Jeni Ministri i Brendshëm i 63-të në historinë e shtetit shqiptar. Si e parashikoni, si do largoheni nga kjo zyrë?
“Falë Zotit nuk ndihem i lidhur pas këtij posti. Madje që kur kam ardhur në këtë detyrë, kam vendosur një objektiv që ta zhvilloj jetën time, ta kufizoj në ato nivele saqë kur të iki, të ndihem i çliruar, ta ndiej sikur kam rifituar lirinë time”.
E ke menduar ndonjëherë që mund të largohesh?
“Patjetër! Me idenë e largimit jam në çdo çast. E zhvilloj jetën time në këtë detyrë në atë mënyrë që kur të largohem të ndihem i fituar. Dhe do jem vërtet i fituar, sepse do fitoj lirinë që nuk e kam sot. Largimi është gjëja më e thjeshtë që do të kem”.