Të lëna pas dore nga BE, Ballkani i drejtohet për vaksina Rusisë dhe Kinës

Nga: Mersiha Gadzo “Al Jazeera”

Gati 2 muaj pasi Bashkimi Evropian filloi fushatën e vaksinimit në vendet anëtare, 4 nga 6 vendet në Ballkanin Perëndimor, nuk e kanë filluar ende këtë proces. Me rritjen e ndjeshme të rasteve të reja me koronavirusit, dhe pa një kohë konkrete se kur do t’u jepen vaksinat nga mekanizmi COVAX dhe skema e përbashkët e BE-së, shumë vende kanë nisur negociatat me Kinën dhe Rusinë për të dalë nga ky ngërç.

Këto lëvizje vijnë në një kohë kur vendet e pasura, janë kritikuar për blerjen e pjesës më të madhe të vaksinave në dispozicion për këtë vit. Izraeli ka numrin më të lartë të vaksinimeve për frymë në botë, i ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania e Madhe, Bahreini, dhe shtetet anëtare të BE-së si Italia, Gjermania dhe Franca.

Sa për të bërë një krahasim, 60 për qind e popullsisë së Izraelit tashmë ka marrë të paktën një dozë vaksine, ndërsa vendet e tjera që po mbështeten tek COVAX dhe mekanizmi i përbashkët i BE-së si Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, nuk kanë nisur ende vaksinimin.

Aktualisht, Mali i Zi ka numrin më të lartë të rasteve me koronavirus për frymë në Evropë (9.910 të infektuar për 100.000 njerëz), ndërsa Bosnja ka një ndër nivelet më të larta të vdekshmërisë nga Covid-19 në Evropë (4.775 vdekje në një popullsi prej 3.5 milionë banorësh).

Për ta menaxhuar si duhet pandeminë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ngriti në prillin e vitit të kaluar COVAX, për të siguruar që të gjitha vendet pjesëmarrëse në të, pavarësisht nga pasuria e tyre, të kishin qasje të barabartë tek vaksinat.

Adi Çerimagiç, analist në Nismën Evropiane të Stabilitetit me bazë në BE, thotë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor u bënë pjesë e COVAX dhe mekanizmit të përbashkët të BE-së për t’i blerë vaksinat “në një mënyrë transparente dhe disi më lirë”.

“Që në fillim ishte e qartë, që kjo do të thoshte se shpërndarja e vaksinave mund të mos ishte aq e shpejtë sa në BE, por ajo u cilësua si rruga më e sigurt dhe më e lirë”- tha Çerimagiç. Serbia pagoi 4 milion euro për COVAX vitin e kaluar, por me vonesën e tej-zgjatur dhe të pashpjegueshme nga BE-ja, ajo nisi të lidhte marrëveshjet e saj dypalëshe me Rusinë dhe Kinën.

Tani, ky vend udhëheq në Evropën kontinentale me shkallën më të lartë të vaksinimit, teksa ka vaksinuar deri tani 550.000 njerëz në një popullsi prej 7 milionë banorësh.Nga mesi i dhjetorit deri në fund të janarit, Serbia bleu 1.1 milion vaksina, ku 1 milionë ishin vaksina kineze dhe pjesa tjetër e përbërë nga vaksina ruse Sputnik V, dhe ajo gjermano-amerikane Pfizer-BioNTech.

Gjithashtu, Serbia është vendi i parë në Evropë që ka blerë vaksina nga kompania kineze Sinopharm. Presidenti Aleksandar Vuçiç njoftoi në një konferencë shtypi të martën se deri në fund të këtij muaji, Serbia do të ketë në dispozicion 2 milion doza vaksinash nga prodhues të ndryshëm.

Lexo edhe :   Basha: Turqia vend aleat, por Shqipëria ka vetëm një rrugë, integrimin në BE

Ndërkohë, ky vend planifikon të fillojë deri në fund të këtij viti prodhimin në vend të vaksinës ruse “Sputnik V”. Në fund të janarit, Vuçiç e krahasoi krizën e vaksinave ose të ashtuquajturin “nacionalizëm të vaksinave” me tragjedinë e anijes së famshme Titanik, duke shkruar në Instagram se “të pasurit përpiqen të sigurojnë varka shpëtimi vetëm për veten e tyre, duke i lënë të varfrit të mbyten”.

Edhe javën e kaluar, ai vazhdoi të kritikojë vendet që po blinin më shumë vaksina sesa duhej.

“Ata po sillen sikur kanë ndërmend që të vaksinojnë të gjitha macet dhe qentë e tyre”- deklaroi ai. Drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, i bëri jehonë të njëjtin mesazh javën e kaluar, kur u bëri thirrje vendeve më të pasura që t’i ndajnë dozat e tyre me vendet e varfra, që nuk kanë mundësi t’i blejnë vetë vaksinat.

“Ne e dimë që BE, Kanadaja, Britania, SHBA-ja porositën deri 9 herë më shumë doza se sa u duhen. Unë u them:mos prisni derisa të keni vaksinuar 70 për qind të popullsisë, për t’i ndarë vaksinat me Ballkanin, Azinë Qendrore, Afrikën”- tha ai.

Çerimagiç tha për“Al Jazeera”,se numri i vaksinave të nevojshme për të vaksinuar  punonjësit shëndetësorë të rajonit, ishte relativisht më i ulët sesa vaksinat ditore që shpërndahen në BE. Ai thotë se lipsen 50.000 -100.000 doza për të vaksinuar stafet spitalore në 4 vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo do të dërgonte mesazhin se BE e njeh Ballkanin Perëndimor si pjesë të sajën, dhe se kanë mundësi të mendojnë politikisht, ta kuptojnë situatën, të tregojnë solidaritet dhe në të njëjtën kohë të shpëtojnë jetë”-thotë Çerimagiç.

Duke qenë mënjanuar nga BE, fqinjët e Serbisë po kthejnë gjithnjë e më shumë kokën nga Rusia dhe Kina për zgjidhje. Të shtunën, Maqedonia e Veriut njoftoi se do të nënshkruante një marrëveshje këtë javë për të blerë 200.000 vaksina nga kinezja Sinopharm, duke shpresuar të nisë sa më shpejt fushatën e vaksinimit të popullsisë së saj.

Bosnje dhe Herzegovina, posaçërisht entiteti i Republika Srpska, mori 2.000 dozat e para të vaksinave vetëm javën e kaluar, pasi kishte siguruar Sputnik V nga Rusia. Autoritetet e Republika Srpska, thanë se ata presin të marrin afërsisht 200.000 doza të tjera nga Rusia në fund të shkurtit, dhe një sasi të ngjashme deri në mes të marsit. Javën e kaluar, Mali i Zi tha se po priste të merrte 100.000 vaksina ruse, ndërsa 5.000 dozat e para do të mbërrinin menjëherë.

Burimi i lajmit: https://www.aljazeera.com/news/2021/2/10/left-out-by-eu-western-balkans-go-to-russia-china-for-vaccines

Përshtatur nga TIRANA TODAY