Ne, njerëzit këtu në Tokë,pyesim shpesh nëse jemi apo jo të vetëm në Univers. Megjithëse kësaj pyetje nuk iu dha një përgjigje prerë këtë vit, shumë zbulime u duk se e rritën mundësinë e ekzistimit të entiteteve jashtëtokësore.
A po na “telefonojnë” alienët nga Proxima Centauri?
Në fillim të këtij muaji, studiuesit njoftuan se kishin kapur një rreze shumë misterioze energjetike në spektrin elektromagnetik në 980 megahertz. Ai vinte nga ylli më i afërt me ne, Proxima Centauri, që ndodhet vetëm 4.2 vite dritë larg.
Ai gjendet në zonën që supozohet të jetë e banueshme, gjë që do të thotë se atje mund të ketë ujë të lëngshëm. Sinjali i pashpjegueshëm u zhvendos pak ndërsa po vëzhgohej, në një mënyrë që i ngjante zhvendosjes së shkaktuar nga lëvizja e një planeti.
Bakteret e huaja mund të jetojnë në retë e planetit Afërdita
Astrobiologët e pritën me skepticizëm në shtator lajmin mbi provat e mundshme të jetës në retë e sipërme të planetit Afërdita. Aty u zbulua pranie e fosfinës, një gaz i rrallë dhe shpesh helmues në Tokë, por që është thuajse gjithnjë i lidhur me organizmat e gjallë. Dihet se bakteret në Tokë lulëzojnë edhe në disa terrene më të ashpra
Oumuamua, mund të jetë ende një objekt alien
Dy vjet më parë, shkencëtarët gjurmuan një objekt në formën e një puroje që lëvizte përmes sistemit tonë diellor. E quajtur Oumuamua, ky objekt konsiderohet nga shumica e studiuesve një kometë ndëryjore. Por vëzhgimet më të afërta treguan se Oumuamua po e përshpejtonte lëvizjen e saj. Duket sikur diçka e shtyn atë dhe shkencëtarët nuk janë të sigurt ende mbi arsyen. Avi Leb, astrofizikant i Universitetit të Harvardit mendon se në vend të një komete, objekti është një anije aliene e madhe.
Marina e SHBA de-klasifikon videot mbi UFO-t
Në prill, marina amerikane bëri publike pamjet e kapura nga pilotët që tregonin avionë të çuditshëm pa krahë që udhëtonin me një shpejtësi hipersonike. Por pavarësisht ekzistencës së videove të tilla, njerëzit duhet të jenë ende të kujdesshëm, thotë gazetarja Sarah Skols në librin e saj “Ata janë tashmë këtu:Kultura e UFO-ve dhe pse shohim disqe fluturuese”. Pasi analizoi pamjet e Marinës së SHBA-së, Skols nuk ishte në gjendje të përcaktonte nëse objektet ishte vërtet UFOP.
Rruga e Qumështit mund të jetë e mbushur me botë oqeanike
Botët oqeanike, të cilat klasifikohen si ato që kanë sasi të konsiderueshme uji mbi to apo nën sipërfaqet e tyre, janë çuditërisht të zakonshme në sistemin diellor. Padyshim Toka është një vend i tillë. Por edhe hëna e Jupiterit, Evropa, mendohet të ketë 5 dete të mëdha nën guaskën e saj të akullt, ndërsa dhe hëna e Saturnit, Enkeladus, dihet se ka gejzerë ujorë që dalin nga pjesa e jashtme e saj.
Sa i përket botëve oqeanike përtej diellit tonë, në një studim të botuar në qershor, studiuesit analizuan 53 ekzoplane të ngjashëm me madhësinë e Tokës dhe analizuan variablat, përfshirë madhësinë, dendësinë, orbitën, temperaturën e sipërfaqes, masën dhe distancën. Ata arritën në përfundimin se afro çereku mund të ketë kushtet e duhura për t’u konsideruar një “botë oqeanike”, duke sugjeruar se vende të tilla mund të ishin relativisht të zakonshme në galaktikë.
Bakteret në Tokë përdorin hidrogjen, ndoshta këtë bëjnë edhe alienët
Në maj, shkencëtarët përdorën bakterin E.Coli dhe majanë e zakonshme (një kërpudhë që përdoren për të bërë bukë dhe prodhuar birrën),për të parë nëse ato mund të jetonin në mjedise të ndryshme. Dihet se mikroorganizma të tillë mbijetojnë edhe pa oksigjen, pra kur vendosen në një balon të mbushur me hidrogjen apo helium. Ato zhvillohen dhe pse me ritme më të ngadalta se zakonisht. Përfundimet sugjerojnë se kur kërkojmë për organizma diku tjetër në Univers, mund të marrim parasysh faktin që vendet nuk duken tamam si Toka.
Jeta mund të ekzistojë edhe rreth një vrime të zezë
Në pamje të parë, një skenar i tillë duket absurd. Por, në kundërshtim me përshkrimet popullore, vrimat e zeza nuk thithin vetëm gjithçka përreth tyre. Siç e tregoi një studim i botuar në mars, këto vrima mund të sigurojë ngrohtësi dhe energji për çdo organizëm që rastis të evoluojë në një vend kaq të çuditshëm.
1000 vende nga ku alienët mund të jenë duke na vëzhguar
Në tetor, studiuesit publikuan një katalog me 1.004 yje afër nesh, që janë në një pozitë të mirë për të zbuluar jetën në Tokë. Duke përdorur mjete vëzhgimi të ngjashme me ato që përdorin astronomët tanë për të studiuar ekzoplanetët, vëzhgues të tillë alienë mund të jenë të interesuar për oksigjenin dhe ujin në atmosferën tonë, duke arritur ndoshta në përfundimin se Toka është një shtëpi e mirë për organizmat.
Shumica e alienove ndoshta kanë vdekur
Ku ka jetë, ka edhe vdekje. Ndërsa na pëlqen të imagjinojmë se galaktika jonë është e mbushur me qenie teknologjiksht të afta që të na kontaktojnë, anasjelltas po pranohet se të gjitha kulturat ngrihen dhe bien. Kjo do të thotë që shumë shoqëri kozmike ka të ngjarë të jenë zhdukur shumë kohë më parë.
Në një studim botuar këtë muaj, thuhej se probabiliteti më i lartë i jetës që shfaqet në Rrugën e Qumështit, ka të ngjarë të ketë ndodhur rreth 5.5 miliardë vjet më parë, para se të formohej planeti ynë. Kjo sugjeron se njerëzimi është relativisht i vonshëm në galaktikë, dhe se shumë nga partnerët tanë të mundshëm nuk ekzistojnë më për të kontaktuar me ne.
Burimi i lajmit: https://www.livescience.com/alien-discoveries-2020.html
Përshtatur nga TIRANA TODAY