Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se shpreson të bindë liderët botërorë të tërhiqen nga luftërat tregtare dhe të shërojnë përçarjet në rritje gjatë samitit të G7 në Biarritz, edhe pse sipas treguesve, misioni do të jetë i vështirë. Liderët e shtatë vendeve më të industrializuara janë mbledhur në rivierën franceze mes krizave globale, përçarjeve të thella brenda grupit dhe sjelljes gjithnjë e më të pakuptueshme të presidentit amerikan Trump.
Presidenti Macron i cili është mikpritësi i samitit të këtij viti deklaroi se do të dëshironte që krerët e vendeve të G7-ës të fokusohen tek çështje të tilla si demokracia, barazia gjinore, arsimi dhe mjedisi.
Mediat e shfaqën shefin e Elizesë duke darkuar me presidentin amerikan Donald Trump. Edhe pse shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se ka një miqësi të vjetër me presidentin Francez, këshilltaret e presidentit amerikan e akuzuan Macron se po injoronte thirrjet e administratës Trump për të përqendruar samitin, tek çështjet e sigurisë kombëtare dhe tek problemet e ngadalësimit ekonomik. Ndërkohë në rrugët e Biarritz të Francës, mijëra protestues lëshuan thirrje kundër liderëve botërorë të cilët i akuzuan se nuk po bënin sa duhet kundër ndryshimeve klimaterike dhe se ata po kontribuonin në thellimin e pabarazisë mes njerëzve. Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit të cilët sfiduan urdhrin e autoriteteve për të mos demonstruar.