Sulmi brenda Xhamisë, imami Kalaja: Shpresojmë të mos ketë qenë akt terrorist

Imami i Xhamisë Dine Hoxha në Tiranë, Ahmed Kalaja ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pak minuta më parë, ku një 34-vjeçar ka plagosur me thikë 5 persona, brenda objektit fetar.

Në një video-komunikim nga vendi i ngjarjes, i prekur dhe me lot në sy, Kalaja tha se janë plagosur besimtarët dhe anëtarët e stafit të xhamisë që po luteshin në ato momente.

Ai tha se autori i ngjarjes nuk u mjaftua me sulmin ndaj besimtarëve të cilët ishin brenda xhamisë, por goditi edhe qytetarët në rrugë.

Teksa konfirmoi se tashmë situata është nën kontroll dhe falenderoi policinë që u gjend në kohë, Kalaja u shpreh se shpreson që kjo ngjarje e rëndë të mos jetë sulm terrorist.

Ahmet Kalaja: “Paqja, mëshira qofshin me ju. Sot pas dreke, andej nga ora 14:00 ka ndodhur një akt barbarie në Xhami, ku një njëri i armatosur me një thikë godet besimtarët me një thikë. Por nuk mjaftohet vetëm me besimtarët, por godet dhe persona që ndodheshin  në rrugë. Faleminderit zotit që personi  arrestua. Situata është në kontroll. Lutemi Zotit që të shëroji vëllezërit tanë që janë plagosur. Shpresojmë që mos të ketë qenë një akt letë themi terrorist. Le të shpresojmë që ka qenë një njeri me të meta mendore që e ka bërë këtë.

Shpresoj që për punë ore xhamia të kthehet në gjendjen e saj të mëparshme. Zoti i madh lëshoftë mbi ne mëshirë. Zoti i madh largoftë nga ne njerëzit me probleme, që duan të prishin harmoninë dhe qetësinë e këtij muaji të bekuar, të shenjtë. Janë plagosur disa vëllezër nga stafi i xhamisë, por dhe disa besimtarë që kanë qenë duke adhuruar Zotin në ato momente. E rëndësishme është që situata është nën kontroll. Falënderojmë policinë që u gjend në kohë dhe lusim Zotin që personi në fjalë të marri atë që meriton. Agjërim të pranuar të gjithëve. Paqja e Zotit qoftë mbi ju.”