Besar Elezi është studenti shqiptar me origjinë nga Kukësi. Ai ka përfunduar studimet e larta në degën e farmacisë në një prej universiteteve më të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u shpallur edhe studenti më i mirë në të gjitha kurset e lëndës së Kimisë.
Falë vullnetit të tij, ai ka arritur të rrëmbejë titullin “Doctor of pharmacy” në “Temple University”.
Por përveç këtij titulli, Besari ia ka arritur të marrë edhe “Cum Laude”, çka do të thotë që i përket një niveli ekselent, që shumë pak studentë në botë mund ta arrijnë. “Për mua këto 7 vite studimi kanë qenë sa të bukura edhe aq të vështira, për vetë faktin se duhej shumë përkushtim edhe vullnet. Por kur në fund të çdo provimi arrije rezultate të kënaqshme, dukej se shpërblehej çdo sakrificë. E sidomos kur në përfundim të vlerësojnë sipas meritokracisë”, thotë 25 vjeçari.
Rasti i Besarit, kur dëgjojmë se studentët shqiptarë vlerësohen ekselentë në përfundim të studimeve të tyre, sidomos në degë dhe lëndë të vështira, duhet të na bëjë krenarë.