E diel, 7 Mars, 2021
2 C
Tirana

Studimi/ Lindja çezariane dhe mbipesha tek fëmijët

Lindja përmes operacionit çezarian, nuk e rrit mundësinë që një fëmijë të përfundojë në mbipeshë trupore kur të rritet. Në këtë përfundim kanë arritur disa studiues, duke hedhur poshtë pretendimin e kundërt të studimeve të mëparshme.

Autorët e studimit të ri, thonë se përfshinë në të një numër të madh njerëzish. Ai merr ndërkohë më shumë në konsideratë një gamë të gjerë faktorësh të mundshëm, që mund të shpjegojnë pse foshnjat e lindura nga prerja çezariane, kanë prirjen të përfundojnë duke qenë mbipeshë vite më vonë.

Pasi u analizuan këta faktorë, thonë ata, u zbulua se mënyra e lindjes në vetvete nuk ka asnjë lidhje me faktin nëse një foshnjë është mbipeshë kur të rritet, pavarësisht nëse ka erdhur në jetë me një lindje çezariane apo natyrale.

“Mjekët dhe nënat, nuk duhet të shqetësohen për mënyrën e lindjes, si një faktor në zhvillimin e mbipeshës tek fëmija”- thotë Viktor Alvist, bashkautor i hulumtimit nga Instituti Karolinska në Suedi. Numri i foshnjeve të lindura përmes prerjes çezariane, është në rritje në mbarë botën.

Dhe një numër studimesh, e kanë lidhur mënyrën e lindjes me një sërë gjendjesh shëndetësore tek fëmija, përfshirë astmën, alergjitë dhe mbipesha. Shpjegimet e mundshme, përfshijnë ekspozimin ose jo të fëmijës ndaj mikrobeve vaginale.

Përfundime të tilla, ngritën shqetësime se lindjet çezariane mund të lidhen me epideminë e zgjerimit të vijës të belit. Gjithsesi, hulumtimi i fundit sugjeron se nuk është kështu. “Këto dy elementë nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Rritja e përdorimit të prerjes çezariane në nivel global, nuk mund të shpjegojë epideminë e mbipeshës”- thotë Alkvist.

Ndërkohë dr.Odri Gaskins nga Universiteti Emori në SHBA, studimit i mëparshëm i të cilës identifikoi një lidhje me mbipeshën, i mirëpriti gjetjet e reja. Sidoqoftë, ajo theksoi se Suedia dhe SHBA-ja mund të ndryshojnë në aspektin e kohës, dhe mënyrës se si janë kryer ndërhyrjet çezariane.

Po ashtu, përfundimet mund të shpjegohen edhe me mjedisin “obezogjenik” midis dy vendeve .

Duke shkruar në revistën mjekësore “Plos Medicine”, Alkvist dhe kolegët e tij raportojnë se si analizuan të dhënat mbi meshkujt e lindur midis viteve 1982-1987, dhe që u rekrutuan në ushtrinë suedeze para vitit 2006.

Gjatë rekrutimit, për ushtarët e rinj mblidhen zakonisht të dhënat kryesore mjekësore, përfshirë indeksin e masës trupore (BMI). Më pas, nga regjistri kombëtar i lindjes, u morën të dhënat mbi mënyrën e lindjes së tyre, si dhe karakteristikat e nënës. Gjithashtu, u përdorën të dhënat nga regjistrimet e tjera, për të parë nivelin e arsimimit të prindërve.

Pasi shqyrtoi të dhënat e 97.229 burrave, ekipi zbuloinjë rrezik të shtuar prej 17 për qind të mbipeshes tek ata kishin lindur përmes metodës çezariane, në krahasim me ata që kanë lindur në mënyrë natyrale. Pasi ekipi mori në konsideratë një mori faktorësh, përfshirë indeksin trupor të nënës para shtatzënisë, pirjen e duhanit, moshën e nënës dhe nivelin e arsimimit të prindërve, kjo prirje nuk ishte më e dukshme.

Dhe në fakt, BMI-ja para shtatzënisë së nënës, u zbulua të ishte faktori më i fortë që ndikon në prirjen për mbipeshë. Me fjalë të tjera, thotë ekipi, ndërsa burrat e lindur nga prerja çezariane priren të jenë pak më të rëndë se të tjerët kur rriten, faktor ndikues nuk ishte mënyra e lindjes.

Gjithsesi, edhe ky studim i ri ka kufizime, përfshirë faktin që të dhënat historike u përkasin vetëm burrave, dhe që vetë subjektet e analizuara nuk vuanin nga gjendje të rënduara shëndetësore.

Dr. Pat O’Brajan, zëdhënës i Kolegjit Mbretëror të Obstetër-Gjinekologëve në Britani, thotë se ky studim sugjeron se faktorë të tillë si BMI-ja e nënës para shtatzënisë, shpjegojnë më mirë lidhjen midis lindjes çezariane dhe mbipeshës tek pasardhësit.

“Pra, të qenit mbipeshë, dihet se e rrit rrezikun e lindjes çezariane dhe obezitetit tek fëmijët. Kjo dhe faktorë të tjerë të paqartë, kanë ndikimin e tyre në lidhjen e sugjeruar më herët midis lindjes çezariane, dhe mbipeshës së fëmijëve kur ata të rriten”- theksoi ai.

O’Brajan, shtoi se një lindje çezariane mund të jetë jetë-shpëtuese për nënën dhe foshnjën, dhe se gratë duhet të mbështeten për çdo lloj mënyre që zgjedhin të lindin fëmijën e tyre. “Grave duhet t’u bëhet e qartë qe edhe nëse kanë një lindje çezariane për çdo lloj arsye, qoftë të planifikuar apo emergjente, kjo nuk i rrit shanset që fëmija i tyre të jetë më vonë mbipeshë”- përfundoi ai./ TIRANA TODAY 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Revoltat e dhunshme në Mianmar/ OKB: Ndaloni vrasjen e protestuesve

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Mianmar i ka bërë thirrje këshillit të sigurimit të KB të marrë masa kundër protestave të dhunshme,...

SHBA-ja lëshon alarm për sulm të ri kibernetik

Qeveria amerikane është duke bërë paralajmërime për sulme të mëdha kibernetike, të cilat mund të kenë shënjestruar serverët e kompanisë Microsoft, dhe të cilat...

Lum partitë për këtë popull që kanë

Nga: Mentor Kikia Ne nuk jemi vetëm në krizë pandemie, krizë ekonomike apo sociale. Ne jemi edhe në një krizë të thellë mendore si shoqëri...

Koronavirusi në vend/ 777 raste të reja dhe 21 viktima

Kurba e koronavirusit në Shqipëri mbetet e lartë, pasi në 24 orët e fundit janë regjistruar 777 raste të reja. Ndërkohë, 21 persona nuk kanë...

Milani kthen Ibrën në kombëtare, 39-vjeçari debuton në ndeshjen me Kosovën

Viti fantastik te Milani dhe fakti që është lideri i ecurisë së pabesueshme të kuqezinjve, ka bërë që Zlatan Ibrahimoviç të kthehet në Kombëtaren...