Studimi i ri: Toka ka një strukturë të ngjashme me një Matrioshkë ruse

Tradicionalisht struktura e brendshme e Tokës përbëhet nga 4 rajone kryesore:korja, manteli, bërthama e jashtme dhe ajo e brendshme. Dy rajonet e bërthamës, e brendshmja dhe e jashtmja, nuk ndryshojnë aq shumë në përbërje dhe që dyja janë të përbëra kryesisht nga hekuri.

Por për shkak se bërthama e jashtme është e lëngshme, ndërsa ajo e brendshme është e ngurtë. Kjo është pasojë e temperaturave dhe presioneve të ndryshme në thellësi të ndryshme të Tokës.

Gjithsesi, nuk duhet harruar se gjithçka që dimë mbi strukturën e Tokës rrjedh kryesisht nga ajo që mund të dalë prej andej, si për shembull magma që arrin deri në sipërfaqe, ashtu edhe nga mënyra përmes së cilës valët sizmike të tërmeteve të mëdha përhapen në të gjithë planetin.

Gjithë pjesa tjetër është deduksion, dhe më pas verifikim përmes modeleve kompjuterike, për të parë nëse hipotezat janë apo jo në përputhje me realitetin. Kjo pasi shpimet tona më të guximshme nuk i kanë kaluar kurrë 12 kilometra thellësi, në 6.300 kilometra që është rrezja e Tokës.

Pra, deri tani ne mund të studiojmë drejtpërdrejt vetëm 0.2 për qind të asaj që nodhet poshtë këmbëve tona. Thellësitë e mëdha të Tokës janë ende të paarritshme për ne. Lëvizjet konvektive të bërthamës së shkrirë të planetit, janë burimi kryesor i fushës magnetike. Manteli fillon në thellësinë rreth 2.900 kilometra, pak mbi bërthamë dhe përfundon disa dhjetëra kilometra nën koren e Tokës. Ngritja e materialit të shkrirë nga bërthama, është gjithashtu motori kryesor i tektonikës së pllakave.

Nëse hipoteza e ekipit të drejtuar nga Xhoana Stefenson konfirmohet nga rishikime të mëtejshme, do të jetë e nevojshme të shtohet një rajon i ri brenda thelbit të brendshëm. Me të gjitha kufizimet e këtyre mjeteve indirekte, analizat e thelluara të kryera mbi të dhënat e viteve të fundit,e kanë nxitur Stefenson e Universitetit Kombëtar Australian, të çojë më tej hipotezën se brenda bërthamës së ngurtë ekziston një tjetër.

“Një hipotezë e cila nëse konfirmohet, do të çonte në rishkrimin e librave shkollorë”-thotë studiuesja, që koordinoi studimin e botuar së fundmi në “Journal of Geophysical Research”.

Stefenson dhe kolegët e saj dolën me hipotezën e re, pas krahasimit të dhjetëra e dhjetëra modeleve të brendshme të Tokës, dhe të dhënave sizmologjike të lidhura me to.

Ka kaq shumë prej tyre, për shkak se askush nuk mund ta shpjegojë plotësisht sjelljen e valëve sizmike në zemër të bërthamës, të cilat  duket se i nënshtrohen një përshpejtimi. Midis të gjitha modeleve, duket se ai që parashikon një dendësim të mëtejshëm dhe të ndryshëm të materies në bërthamën e brendshme, jep shpjegime më të mira për atë që vihet re. E ashtuquajtura nën-bërthamë, përbëhet nga i njëjti material si bërthama e brendshme, por atomet e hekurit lidhen së bashku në një mënyrë të ndryshme, të varur plotësisht nga temperatura dhe presioni jashtëzakonisht i lartë.

Studimet e mëparshme – të cilat nuk mund të mbështeteshin mbi teknikat e verifikimit të bazuara në modele – kishin hipotetizuar ekzistencën e një nën-bërthame me një diametër prej rreth 300 kilometrash. Studimi i gjeo-fizikantëve australianë e ka konfirmuar këtë hipotezë.

Burimi i lajmit: https://www.focus.it/scienza/scienze/terra-matrioska-nucleo-interno

Përshtatur nga TIRANA TODAY