Studentët kanë nisur që në orët e para të ditës aksionin me mbylljen e portave në të gjitha fakultetet e Tiranës, duke penguar kështu zhvillimin e mësimit. Pas organizimit në secilin fakultet, ata janë bashkuar, dhe më pas kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë.
Ndërsa vijojnë të mos tërhiqen nga kërkesa e tyre për anulimin e ligjit të Arsimit të Lartë, ata kanë kërkuar ndër të tjera edhe Vetting për pedagogët.
Po kështu, studentët kanë shtuar një pikë tjetër në kërkesat e tyre. Ata kanë apeluar ndaj kryeministrit Rama, që të anulojë ligjin për arsimin e lartë.
Ata kanë shpalosur para Kryeministrisë një banderolë, ku listonin kërkesat e tyre. Në një zë kërkojnë uljen e tarifave për nivelin master të studimeve, dyfishim të buxhetit për arsimin, jo financimin e universiteteve private, si dhe anulimin e ligjit për arsimin e lartë.