Stresi nga pandemia, i ka nxitur njerëzit të bëjnë zgjedhje më të këqija

Të gjitha bllokimet e vendosura gjatë vitit të kaluar për shkak të pandemisë kanë qenë të ashpra. Një studim i fundit ka zbuluar se bllokimet kanë ndikuar tek shumë njerëz.

Kështu, studiuesit spanjollë raportojnë se tronditja dhe stresi i shkaktuar prej tyre kanë pasur efekte negative si në aftësinë njohëse, ashtu edhe në shëndetin mendor të popullatave të ndryshme.

Ata thonë se bllokimi ka çuar në aftësi më të zvogëluara në vendimmarrje, në zgjedhje më të këqija dhe në përgjithësi në sjellje më të pamatura. Për më tepër, shumë njerëz filluan të shfaqin një prirje të shtuar për të qenë më pak altruistë, dhe më shumë të prirur për të ndëshkuar të tjerët.

Në këtë studim morën pjesë afro 5.000 njerëz që jetojnë në Spanjë, Britani dhe Itali. Secili person iu përgjigj një sërë sondazhesh të dërguara gjatë bllokimeve të para dhe të dyta në secilin vend. Sondazhi i parë,pyeti se si pandemia kishte ndikuar tek të anketuarit në 4 fusha: karrierë, shëndetin mendor, stresin dhe shëndetin fizik.

Sondazhi i dytë u bazua tek çështjet e aspektit njohës, duke pyetur mbi tendencat e marrjes së rrezikut, vendimmarrjen, altruizmin dhe reciprocitetin. “Ne donim të eksploronim ndikimin e bllokimit dhe kufizimeve të tjera të lidhura me Covid-19 në jetën e njerëzve, dhe si ndikoi kjo gjënë vendimmarrjen e tyre”- thotë Francisko Lupianez, profesor i shkencave të Informacionit dhe komunikimit në Universitetin e Hapur të Katalonjës.

Studiuesit thonë se njerëzit që janë “më të ekspozuar ndaj pasojave negative të efekteve të bllokimit” shfaqin zakonisht rënie më të mëdha të aftësive njohëse. Ata bëjnë zgjedhje më të rrezikshme dhe shfaqin një “mendësi qytetare të zvogëluar”.

“Aftësitë e njerëzve për të marrë vendime ishin të dëmtuara, dhe reagimet e tyre nuk ishin ato që mund të prisnim. Në vend se të ishin më të kujdesshëm pasi po jetonin në kohën e një pandemie, ata po rrezikonin, sepse nuk mund të duronin dot më. Për shembull ata donin ndëshkimin e atyre që nuk mbanin maska ​apo u shmangeshin masave kufizuese,edhe pse ata vetë kishin më shumë gjasa të bënin zgjedhje më të rrezikshme”- thekson ai.

“U bënë zgjedhje shumë të vështira pa marrë parasysh koston sociale. Ata morën parasysh vetëm një perspektivë të vetme, atë afatshkurtër. Dhe tani ne e dimë që 4 në 10 njerëz ishin në rrezik të përjetonin një sëmundje të lidhur me shëndetin mendor si rezultat i tronditjes së prodhuar nga kjo pandemi. E gjithë kjo situatë do të ketë pasoja në periudhën afatmesme”- shton autori i studimit.

Thuhet se stresi i gjeneruar nga pandemia dhe bllokimet, ka bërë që shumë njerëz të ndjekin kënaqësinë e menjëhershme dhe të marrin vendime të parakohshme. Disa të anketuar në këtë studim, raportuan se kishin lëvizur nga zonat urbane në rajone rurale,dhe këtë vendim e kishin marrë në një kohë të shkurtër.

“Këto ishin vendime në të cilat vlerësimi i kostos dhe përfitimit ishte shumë i kushtëzuar nga pandemia. U duk sikur bota po merrte fund dhe njerëzit preferuan të përfitojnë sot, tani, menjëherë, pa menduar për të nesërmen”-përfundon Lupianez.

Burimi i lajmit: https://www.studyfinds.org/lockdown-stress-poorer-choices

Përshtatur nga TIRANA TODAY