Instituti i Statistikave ka publikuar raportin “Aksidentet rrugore”, ku jepen të dhëna vetëm për muajin gusht.
Ajo që të bie në sy nga këto të dhëna, është rritja e numrit të aksidenteve me 8.6%, krahasuar me muajin gusht të vitit 2016.
Kështu, në gusht 2017 janë shënuar 215 aksidente rrugore nga 198 aksidente të ndodhur në gusht 2016.
Numri i të aksidentuarve është 292 persona nga 294 që ishte një vit më parë.
Në tetëmujorin 2017, numri i të aksidentuarve është ulur 0,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i personave të aksidentuar nuk ka ndonjë diferencë të madhe krahasuar me 2016-ën, teksa në gusht 2017 numërohen 270 të plagosur, nga 269 persona të plagosur në gusht 2016.
Krahasuar me mesataren e personave të plagosur gjatë vitit 2016, ky numër është rritur me 29,1 %.
Në gusht, aksidentet rrugore, në 83,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Për sa i përket grupmoshës, numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25–35 vjeç, duke zënë 25,6 % të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke u ulur me 3,5 %, krahasuar me të një njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në tetëmujorin 2017, aksidentet rrugore të cilat kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit zënë 80,7 % të rasteve. Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25–35 vjeç duke zënë 27,6 % të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke u ulur me 5,2 % me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në gusht 2017, numri i të aksidentuarve për 100.000 banorë ishte afërsisht 9 persona.