Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka folur rreth hapjes së negociatave duke u shprehur se i gjithë faktori politik në vend duhet të jetë në një drejtim për këtë proces.
Sa i përket reformës zgjedhore, e ftuar në studion e Ora News, Spiropali u shpreh se se mazhoranca është e gatshme të ulet në çdo tryezë me opozitën, por jo të bëjë pazare me të.
“Ne të gjithë si faktorë politik duhet të jemi në një mendje dhe në një drejtim për këtë proces. Të kemi interesin kombëtar të parin pastaj analizat partiake. Ne jemi të gatshëm të ulemi në çdo tryezë, të diskutojmë, të mos bëjmë deklarata politike por të gjejmë zgjidhje, ama brenda Kushtetutës dhe ligjshmërisë dhe aspak jashtë kornizave. Nuk duam dhe nuk do të bëjmë pazar me ta. Për ne nuk ka kthim pas në reformën në drejtësi, që ka qenë një nga kërkesat e artikuluara nga Basha. E vetmja gjë që mund të bëjmë është reforma zgjedhore dhe këtë duam ta bëjmë bashkërisht. Më tolerancë dhe konsensus se kaq nuk besoj se ka ushtruar ndonjë qeveri më parë”, tha ministrja.
Ndërkohë, kur u pyet nëse mazhoranca do ta gjejë mundësinë para datës 18 tetor, të ulet në një tryezë me opozitën për reformën zgjedhore, Spiropali deklaroi se “varet krejtësisht prej vullnetit të tyre për të ndryshuar strategjinë e tyre opozitare. Basha është në vështirësi të madhe”.